Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se numri i rasteve të infektimit me koronavirus ka rënë në mënyrë dramatike në botë.
Prandaj, ky institucion u ka bërë thirrje shteteve që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund pandemisë.
Numri i rasteve të reja me koronavirus, i cili ka lënë të vdekur miliona njerëz prej fundit të vitit 2019, ka rënë në nivelet më të ulëta prej marsit të vitit 2020, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Nuk kemi qenë kurrë në pozitë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë”, u ka thënë ai gazetarëve.
“Nuk e kemi arritur ende këtë gjë, por fundi po shihet”.
Sipas tij, bota duhet të veprojë tani.
“Një vrapuese maratone nuk ndalet kur sheh se i është afruar fundit. Përkundrazi, ajo vrapon edhe më shumë, me gjithë energjinë që i ka mbetur”.
“Ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Ne po e shohim fundin. Jemi në pozicion fitues. Tani është koha më e keqe për të ndalur vrapin”, ka paralajmëruar ai.
“Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të përballemi me më shumë variante, më shumë vdekje, dhe me më shumë paqartësi”.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Deri më tani janë regjistruar mbi gjashtë milionë njerëz të vdekur me këtë virus. /rel