RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OJQ amerikane brenda 24 orëve grumbulloi 10 milionë dollarë ndihma për viktimat e tërmetit në Turqi

ojq-amerikane-brenda-24-oreve-grumbulloi-10-milione-dollare-ndihma-per-viktimat-e-termetit-ne-turqi

Organizata joqeveritare “Global Empowerment Mission” me seli në SHBA siguroi mjete disa milionëshe për të ndihmuar viktimat e dy tërmeteve katastrofike që tronditën pjesën jugore të Turqisë, ku humbën jetën më shumë se 7.000 persona, raporton Anadolu.

Mubashir Kazi, anëtar i organizatës së themeluar në vitin 2011, e cila është një nga të parat që i përgjigjet fatkeqësive globale, tha për Anadolu se për 24 orë, ata mblodhën ndihma me vlerë rreth 10 milionë dollarë, e cila përfshin komplete mjekësore, artikuj ushqimorë, rroba dhe batanije.

Duke potencuar se ndihma aktualisht është në depon e tyre në Doral të Floridas, Kazi tha se ndihmat do të dërgohen në Istanbul me aeroplan të Turkish Airlines, me ndihmën e Ambasadës Turke në Washington dhe Konsullatës së Përgjithshme në Miami.

“Ne arritëm të sigurojmë më shumë se 100 paleta me mallra ndihmash brenda 24 orëve. Jam i pushtuar nga trishtimi. Nuk është aspak e lehtë, sidomos për një vend si Turqia, për të cilën kam shumë respekt dhe dashuri. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si ndihem tani”, tha Kazi.

Ai tha se “Global Empowerment Mission” do të vazhdojë të mbledhë donacione përmes faqes së saj të internetit globalempowermentmission.org

Kazi theksoi se kjo është ndihma e popullit amerikan dhe e donatorëve amerikanë për Turqinë.

Duke folur për lidhjen e tij me Turqinë si pakistanez dhe amerikan, Kazi tha:

“Kjo kishte efekt tepër personal tek unë, sepse turqit dhe pakistanezët kanë një marrëdhënie shumë të veçantë. Unë e njoha kulturën turke në moshë shumë të hershme dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur marrëdhënie të mira me të gjithë miqtë e mi turq. Ndihma në këtë fatkeqësi për mua është bërë një sfidë personale që duhet ta pranoj”.

Populli turk në SHBA dhe qytetarët amerikanë në të gjithë vendin kanë nisur fushata të shumta për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar viktimat e dy tërmeteve të fuqishëm që tronditën jugun e Turqisë.

Të paktën 7.108 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve shkatërruese që goditën rajonet jugore të Turqisë të hënën, konfirmoi Administrata e Situatave Emergjente (AFAD). Në tërmetet shkatërruese në jug të vendit janë plagosur 40.910 persona.

Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, të paktën 2.530 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter goditi pjesën jugore të Turqisë mëngjesin e së hënës, epiqendra e të cilit u regjistrua në qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaras.

Gjithashtu nga tërmeti janë prekur rëndë edhe provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Pas kësaj, një tërmet i ri me magnitudë 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit goditi qarkun Elbistan, gjithashtu në Kahramanmaras, të hënën në orën 13:24 sipas kohës lokale.

Related posts

Arabia Saudite dhe Irani diskutojnë zhvillimet rajonale pas vr’asjes së shefit të Ha’masit

RTI

Mbi 1800 gjoba trafiku për shkelësit e rregullave në trafik

admin6

Irani refuzon thirrjet për vetëpërmbajtje: Kundërpërgjigja nuk në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare

admin