RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe BotëTurqi

OKB: Anija ruse me plehra bujqësore të hënën niset për në Afrikë

okb:-anija-ruse-me-plehra-bujqesore-te-henen-niset-per-ne-afrike

Shefja e zyrës së tregtisë së Kombeve të Bashkuara (OKB), Rebeca Grynspan, ka bërë të ditur se një anije ruse me plehra bujqësore e bllokuar në një port evropian do të niset për në Afrikë më 21 nëntor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Grynspan foli me gazetarët në një konferencë për media pas zgjatjes për 120 ditë të tjera të marrëveshjes historike të drithërave të Detit të Zi, që u njoftua dje nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

“Anija e parë do ta lëshojë portin holandez drejt Malawi-t. Anija po ngarkohet tani”, tha Grynspan kur u pyet për plehrat bujqësore ruse të bllokuara në portet evropiane pas fillimit të luftës së Moskës kundër Kievit.

Grynspan tha se data e vendosur për nisjen e anijes është 21 nëntori dhe ajo do të kalojë përmes Mozambikut. Ajo po ashtu njoftoi se në porte të ndryshme evropiane ka rreth 300 mijë tonë plehra bujqësore.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Malawi është një nga vendet në ‘vijë të kuqe’ për sa i përket përdorimit të plehrave bujqësore”, shtoi Grynspan.

Ajo tha se OKB-ja shpreson se destinacioni i ardhshëm për mallrat ruse do të jetë Afrika Perëndimore, e cila është “prekur shumë nga kriza e përballueshmërisë së plehrave bujqësore”.

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që ishin ndërprerë në muajin shkurt për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Përveç një pauze të shkurtër, që atëherë marrëveshja ka mundësuar dërgesat e ushqimit në botë.

Dje, presidenti Erdoğan tha se si rezultat i bisedimeve 4-palëshe të organizuara nga Turqia, marrëveshja e korridorit të drithërave u zgjat për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori i vitit 2022, respektivisht në përputhje me vendimin e marrë midis Turqisë, OKB-së, Rusë dhe Ukrainës.

Presidenti turk po ashtu theksoi se në katër muajt e fundit rreth 500 anije kanë transportuar mbi 11 milionë tonë drithëra. Ai shtoi se kjo tregon sa e rëndësishme është kjo marrëveshje për furnizimin dhe sigurinë botërore të ushqimit.

Marrëveshja e drithërave të Detit të Zi skadonte të shtunën, më 19 nëntor të këtij viti.

Related posts

Konjufca: Gjermania mbetet partner i pazëvendësueshëm për Kosovën

rezart morina

Rritet numri i të infektuarve me COVID-19, 177 raste të reja brenda 24 orëve

admin

Ritëm rekord i vrasjeve masive në SHBA

admin