SHBA-ja nuk ka lëshuar ende viza për delegacionin rus që pritet të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në Nju Jork, sipas zyrtarëve të organizatës.
“Sekretari i Përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë të OKB-së mbeten në kontakt të ngushtë me vendin pritës, SHBA-në dhe misionet përkatëse në OKB, përfshirë Federatën Ruse, sipas Marrëveshjes së Selisë OKB-SHBA”, tha një zëdhënës në një deklaratë.
Vizat lëshohen në bazë të një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si vend pritës, dhe Kombeve të Bashkuara, e cila detyron Uashingtonin të lejojë diplomatët dhe anëtarët e delegacioneve qeveritare të hyjnë në vend nëse duan të shkojnë në selinë e OKB-së.
Megjithatë, liria e lëvizjes së diplomatëve mund të kufizohet vetëm në disa blloqe rreth ndërtesës së OKB-së.
Takimi i këtij viti i OKB-së do të fillojë më 20 shtator dhe do të zgjasë një javë. Deri më tani, pritet të marrin pjesë më shumë se 150 krerë shtetesh dhe qeverish. /atsh