OKB-ja është “plotësisht” kundër zhvendosjes së detyruar të palestinezëve në Rripin e Gazës, tha një zëdhënëse e organizatës, raporton Anadolu.
“Si parim, ne jemi plotësisht kundër zhvendosjes së detyruar. Kështu që kjo duhet të bëhet shumë, shumë e qartë. Qëllimi duhet të jetë me të vërtetë që palestinezët të jenë të sigurt në Gaza, që civilët të jenë të sigurt në Gaza”, u tha gazetarëve Florencia Soto Nino, zëvendëszëdhënëse e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres.
Komentet e saj erdhën pasi zyrtarët izraelitë bënë thirrje për “evakuimin vullnetar” të palestinezëve nga Gaza dhe u kërkuan vendeve të ndryshme të pranojnë palestinezët nga enklava.
“Ne kemi qenë shumë të qartë se nuk po mbrojmë, se askush nuk duhet të mbrojë zhvendosjen masive të palestinezëve nga Gaza dhe se ata duhet të jenë të sigurt në shtëpitë e tyre”, tha Nino.
Çdo person ka të drejtë të mbrohet nga zhvendosja e detyruar nga shtëpia ose vendbanimi i tij, tha ajo, duke shtuar se deri më tani 85 për qind e popullsisë së Gazës ka qenë e zhvendosur brenda vendit dhe jeton në “kushte mjaft të rënda”.
“Ata kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre”, shtoi ajo.
Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Të paktën 22.313 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 57.296 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Shefi i OKB-së dënon sulmin vdekjeprurës në Iran
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënoi fuqishëm” sulmin në Iran ku po mbahej një ceremoni për të përkujtuar gjeneralin e lartë iranian Qassem Soleimani i cili u vra katër vjet më parë nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
“Sekretari i Përgjithshëm dënon fuqishëm sulmin e sotëm në një ceremoni përkujtimore në qytetin Kerman në Republikën Islamike të Iranit, i cili raportohet se vrau më shumë se 100 njerëz dhe plagosi shumë të tjerë”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësja Florencia Soto Nino.
“Sekretari i Përgjithshëm bën thirrje që përgjegjësit të japin llogari”, shtoi ajo.
Ajo tha se Guterres ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e tij të thella për familjet e viktimave dhe qeverinë e Republikës Islamike të Iranit dhe u ka uruar të plagosurve shërim të shpejtë.
Ndryshe, dy shpërthime ndodhën në një rrugë që shkon në varrezën në qytetin juglindor të Kermanit, ku është varrosur Qassem Soleimani, ish-kreu i Forcës Quds të Gardës Revolucionare Islamike.