RTV AHIRETI
Uncategorized

OKB paralajmëron për krizë ‘të paparë’ për detarët në Gjirin Persik

okb-paralajmeron-per-krize-‘te-papare’-per-detaret-ne-gjirin-persik

Një krizë “e pashembullt” po shpaloset për 20 mijë detarë që kanë mbetur të ngujuar në Gjirin Persik, ka paralajmëruar një organ i Kombeve të Bashkuara, përderisa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po i lë ekuipazhet të bllokuara në anije pa ndonjë rrugëdalje të qartë.

Përderisa ngërçi në Gjirin Persik vazhdon, punëtorët detarë – shumë prej tyre nga vende të varfra dhe në zhvillim – po e shohin veten të bllokuar në det, të gjendur mes presionit tregtar nga pronarët e anijeve, rreziqeve të sigurisë nga dronët dhe minat detare si dhe mbrojtja e kufizuar ligjore, raporton televizioni CNN.

“Është situatë e pashembullt” – tha Damien Chevallier, drejtor i Divizionit për Siguri Detare në Organizatën Ndërkombëtare Detare të OKB-së. “Kemi rreth 20 mijë detarë në Gjirin Persik për gati tetë javë tashmë. Kjo është krizë humanitare. Kurrë nuk jemi ballafaquar me një situatë të tillë” – shtoi ai.

Ky paralajmërim e nxori në pah gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen ekuipazhet e anijeve. Shumë prej tyre nuk mund të ankorohen në asnjërën anë të Gjirit Persik: portet iraniane paraqesin rreziqe të zonës së luftës, ndërsa kufizimet me viza e pengesat logjistike përgjatë bregdetit të shteteve arabe ua bëjnë të vështirë shumë detarëve largimin nga anijet e tyre. Dalja detare, përmes Ngushticës së Hormuzit, mbetet praktikisht e mbyllur.

“Rreth 800 deri në 1.000 anije do të donin të lundronin nëpër Ngushticën e Hormuzit për t’u evakuuar nga zona” –tha Chevallier. Një rast i tillë është anija transportuese e naftës, “Auroura”, e sanksionuar për shkak të lidhjeve me flotën në hije të Iranit që përdoret për transportin e naftës në kundërshtim me sanksionet amerikane.

Anëtarë të ekuipazhit i thanë televizionit CNN në një intervistë muajin e kaluar se ata kishin mbetur të ngujuar me javë pas shpërthimit të luftës, duke kërkuar që të riatdhesoheshin, pasi thanë se pronari i anijes po u bënte presion për të lundruar drejt Iranit e për ta marrë naftën pavarësisht rreziqeve që po shtoheshin.

Ekuipazhi i anijes, të gjithë shtetas indianë, treguan për kushte që po përkeqësoheshin, përfshirë mungesën e ushqimit dhe ujit të freskët.





Related posts

SWE Diverse Podcast Ep 234: Executive Leadership Training for Engineers: SWE’s eXXec Program

Belgjika riafirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kushtrim Guraj

SWE Diverse Podcast Ep 236: The State of Gender Equity in STEM With Gender Scan Founder Claudine Schmuck