RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Opozita italiane kritikon qeverinë për mospërfshirjen në sanksionet ndaj vendbanimeve të paligjshme izraelite

opozita-italiane-kritikon-qeverine-per-mosperfshirjen-ne-sanksionet-ndaj-vendbanimeve-te-paligjshme-izraelite

Partitë opozitare në Itali kanë kritikuar qeverinë për mospërfshirjen në grupin e vendeve që po vendosin kufizime tregtare ndaj vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës La Repubblica, udhëheqësi i Lëvizjes Pesë Yjet, Giuseppe Conte, i bëri thirrje qeverisë që të “tregojë sadopak dinjitet” dhe të mbështesë në parlament projektligjin e opozitës për vendosjen e sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite.

“Tregoni sadopak dinjitet dhe miratoni projektligjin tonë në parlament për të proceduar me sanksionet”, tha Conte, duke kritikuar vendimin e Romës për të mos iu bashkuar nismës.

Edhe udhëheqësja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, dënoi mospërfshirjen e Italisë, duke e cilësuar atë “të turpshme” dhe duke akuzuar qeverinë se humbi një tjetër mundësi për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe për të shmangur “standardet e dyfishta”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, mbrojti vendimin, duke theksuar se Roma dëshiron që masat të miratohen në nivel të Bashkimit Evropian (BE) dhe jo përmes nismave të veçanta kombëtare.

“Synojmë një vendim evropian”, tha Tajani, duke argumentuar se një qasje e përbashkët e BE-së është e nevojshme për të shmangur shtrembërimet në tregun e brendshëm të bllokut.

Ai gjithashtu theksoi se Mbretëria e Bashkuar, e cila iu bashkua nismës, nuk është më anëtare e BE-së.

Italia nuk ishte në mesin e 12 vendeve që njoftuan planet për të vendosur kufizime kombëtare ndaj tregtisë së mallrave me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.

Vendet janë Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Spanja, Finlanda, Irlanda, Islanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Suedia dhe Kanadaja.

Ato thanë se situata në Bregun Perëndimor po përkeqësohet me shpejtësi, duke përmendur rritjen e dhunës së kolonëve dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite.

Vendet i bënë thirrje Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve dhe kundërshtuan veprimet që mund të çojnë në aneksimin e tokës palestineze ose zhvendosjen me forcë të palestinezëve.

Në muajin gusht, Italia, Franca dhe Gjermania gjithashtu nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënonte projektin e planifikuar të vendbanimit E1 midis Kudsit Lindor dhe Maale Adumim, për të cilin kritikët thonë se do ta ndante Bregun Perëndimor dhe do ta izolonte më tej Kudsin Lindor.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, e ka përshkruar projektin E1 si një “gozhdë në arkivolin” e krijimit të një shteti palestinez.

Related posts

Një tërmet me magnitudë 7.3 godet Indonezinë, duke shkaktuar paralajmërim për cunami

Muhamet Ramadani

Blinken: Shteti palestinez, mënyra më e mirë për ta izoluar Iranin

admin

Tre policët e rrëmbyer dalin sot para gjykatës në Serbi

admin