Fati i kësaj dosjeje, jetike edhe për të ardhmen e vendit: batërdia e mikut hebre të Edi Ramës nga veriu në jug
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka nisur verifikimet lidhur me përgjimet e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka ngritur akuza për lidhje mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet.
Në intervistën e tij nga Zvicra me gazetarin Çim Peka, Ahmetaj publikoi disa audiopërgjime dhe ngriti pretendime për një skemë të dyshuar që, sipas tij, lidhet me fondet publike, asetet shtetërore dhe industrinë ushtarake shqiptare.
Në qendër të deklaratave të tij janë biznesmeni Ron Yeffet, kompania “Timak Defence” dhe shoqëria shtetërore KAYO. Ahmetaj pretendoi se armët prodhohen dhe paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit, duke e lidhur këtë aktivitet me qeverinë Rama.
Ish-zëvendëskryeministri e ka cilësuar Yeffetin si një “Ergys Agasi ndërkombëtar”, duke pretenduar se ai kryen funksione koordinuese për interesa të lidhura me kryeministrin.
Veprimet e SPAK vijnë pak ditë pas publikimit të intervistës. Në këtë fazë bëhet fjalë për verifikimin e materialeve dhe deklaratave të bëra publike, ndërsa pretendimet e Ahmetajt nuk përbëjnë automatikisht prova të provuara në gjykatë.
Por përtej përgjimeve, aktiviteti i kompanive të lidhura me Yeffet ngre pikëpyetje edhe për shkak të shtrirjes së tyre në tenderët publikë dhe më pas në industrinë strategjike të mbrojtjes.
Yeffet është shfaqur vitet e fundit në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish që veprojnë në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, energjinë, pasuritë e paluajtshme dhe mbrojtjen.
Ai u bë shtetas shqiptar në nëntor 2018. Gjatë viteve 2023–2024, emri i tij lidhet me krijimin e disa kompanive në Shqipëri, ndërsa në vitin 2025 ai bleu 49% të aksioneve të “TIMAK”.
Më pas, pas autorizimit të qeverisë për krijimin e partneriteteve publik-private në sektorin e mbrojtjes, kompania shtetërore KAYO zgjodhi “TIMAK” si partner privat.
Nga ky bashkëpunim u krijua “TIMAK Defence”, ku 80% e aksioneve zotërohen nga pala private dhe 20% nga shteti shqiptar përmes KAYO. Kompania synon prodhimin dhe furnizimin e Forcave të Armatosura me automjete dhe mjete ushtarake.
Më pas u krijua edhe “Advanced Arms Technology”, me të njëjtën strukturë pronësie, për prodhimin dhe furnizimin me armë të kalibrit të lehtë e të mesëm dhe dronë ushtarakë.
Por hyrja në industrinë ushtarake nuk ishte fillimi i marrëdhënies së kompanive të Yeffet me paratë publike.
Të dhënat për kontratat publike tregojnë se “TIMAK” ka fituar 22 kontrata nga pushteti vendor, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 249 milionë lekësh. Ndërsa “TIMAK Special Vehicles” rezulton fituese e 15 kontratave të tjera, me vlerë rreth 149 milionë lekë.
Në total, vetëm këto dy kompani kanë marrë 37 kontrata me vlerë rreth 398.6 milionë lekë, ose afërsisht 4 milionë euro pa TVSH.
Kontratat janë shpërndarë në një numër të madh bashkish dhe lidhen kryesisht me blerjen e automjeteve zjarrfikëse, mjeteve teknologjike, makinerive për mirëmbajtjen e rrugëve dhe kamionëve për largimin e mbetjeve.
Në listë përfshihen bashkitë Tiranë, Lezhë, Kukës, Elbasan, Fier, Rrogozhinë, Kamëz, Berat, Skrapar, Klos, Cërrik, Maliq, Vau i Dejës, Selenicë, Belsh, Prrenjas dhe Fushë-Arrëz, ndërsa “TIMAK Special Vehicles” ka marrë kontrata edhe në Fier, Lushnjë, Tropojë, Has, Mirditë, Mat, Krujë, Devoll, Roskovec dhe Përmet.
Vëmendje të veçantë kanë tërhequr disa procedura ku oferta fituese ka qenë jashtëzakonisht pranë fondit limit.
Në Bashkinë e Tiranës, për blerjen e automjeteve zjarrfikëse, fondi limit ishte 20.83 milionë lekë, ndërsa “TIMAK” fitoi me një ofertë prej 20.8 milionë lekësh, vetëm rreth 33 mijë lekë më pak.
Rasti i Fushë-Arrëzit është edhe më i veçantë. Fondi limit ishte 3.333.333 lekë, ndërsa oferta fituese e “TIMAK” ishte 3.333.325 lekë. Diferenca ishte vetëm 8 lekë.
Në Fier, kompania fitoi një kontratë për një kamion për mbetjet me ofertë rreth 17.84 milionë lekë, kundrejt një fondi limit prej 18.65 milionë lekësh. Në Lezhë, një tjetër kontratë u fitua me 18.85 milionë lekë, ndërsa fondi limit ishte rreth 18.95 milionë lekë.
Afërsia e ofertës me fondin limit nuk provon vetvetiu një shkelje penale. Megjithatë, kur kjo shoqërohet me përsëritjen e të njëjtit fitues në dhjetëra procedura dhe shtrirjen e kontratave në shumë institucione, krijohen pikëpyetje që mund të kërkojnë verifikim administrativ dhe financiar.
Kompanitë e lidhura me të kaluan nga furnizimi i bashkive me zjarrfikëse, automjete dhe mjete pastrimi drejt një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë me shtetin në një prej sektorëve më strategjikë: industrinë e mbrojtjes.
Pikërisht kjo është edhe një nga çështjet që SPAK pritet të verifikojë pas materialeve të publikuara nga Ahmetaj: kush i hapi dyert Yeffetit në institucionet shqiptare, si u përzgjodhën partneritetet, si u përcaktuan fondet dhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes aktivitetit të tij në tenderët publikë dhe hyrjes së mëvonshme në industrinë ushtarake.
Nëse përgjimet e publikuara nga Ahmetaj përmbajnë elemente të verifikueshme, ato mund të shërbejnë si pikënisje për hetime më të thelluara. Në të kundërt, çështja do të mbetet në nivelin e pretendimeve politike dhe mediatike.
Në çdo rast, shtrirja e kompanive të Yeffet në tenderët publikë, nga veriu në jug, dhe përfshirja e tyre më pas në projekte të industrisë së mbrojtjes e bëjnë këtë një prej dosjeve që pritet të marrë vëmendje të veçantë nga organet e drejtësisë. tesheshi

