Partia opozitare Demokratët e Izraelit i kërkoi të hënën Komitetit Qendror të Zgjedhjeve të skualifikojë nga zgjedhjet e përgjithshme të 27 tetorit partinë Fuqia Hebraike, e drejtuar nga ministri ekstremist i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, duke përmendur nxitjen e racizmit, transmeton Anadolu.
Në kërkesë, partia akuzoi gjithashtu Fuqinë Hebraike për minimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe autoritetit gjyqësor, sipas Kanalit 12 të Izraelit.
Demokratët thanë se ligjvënësit kahanistë kishin përdorur pushtetin politik dhe imunitetin parlamentar për të kundërshtuar urdhrat e gjykatave, për të sfiduar autoritetin e Gjykatës së Lartë dhe për të nxitur “racizëm të dhunshëm”.
Komiteti ende nuk ka marrë një vendim lidhur me kërkesën.
Ben-Gvir e kundërshtoi këtë kërkesë dhe akuzoi Demokratët e Yair Golanit se janë “antisemitë” dhe “antiizraelitë”.
Kërkesa u paraqit disa ditë pasi partitë izraelite dorëzuan listat e kandidatëve për zgjedhjet.
Gjithsej 38 lista janë regjistruar për të garuar për 120 vendet e Knessetit, megjithëse sondazhet e fundit sugjerojnë se rreth 13 prej tyre mund të fitojnë vende.
Çdo vendim për skualifikimin e një kandidati ose liste i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata e Lartë e Izraelit.

