Organi më i lartë fetar i Turqisë ‘Diyanet’ ka njoftuar planet për të ndërmarrë veprime ligjore jashtë vendit kundër djegies së Kuranit në Suedi, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa ditë pasi politikani danez i ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm, kreu i Diyanet-it, Ali Erbaş, u tha gazetarëve në Ankara se atashetë diplomatik të organit që drejton ai dhe konsulentët në 120 vende do të “adresohen në gjykata”.
Erbaş tha e Diyanet-i dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) po planifikojnë një takim online për të mërkurën mbi këtë temë.
“Ne do të ngremë zërin tonë jo vetëm kundër djegies së tmerrshme të Kuranit në Suedi, por edhe kundër sulmeve islamofobike në vendet evropiane”, tha Erbaş.
Ai shtoi se do të kontaktojë përmes letrave edhe përfaqësuesit e organizatave të ndrysme.
“Ne gjithashtu do të tregojmë qëndrimin tonë kundër sulmeve të tilla ndaj Kuranit dhe xhamive duke u shkruar letra vendeve të ndryshme. Të gjithë intelektualët, akademikët, aktivistët, organizatat joqeveritare, anëtarët e mediave dhe njerëzit me mendje të drejtë që besojnë në ligj dhe të drejtat e njeriut dhe që kanë prioritet respektimin e besimit dhe paqes sociale në Evropë, duhet të ngrenë zërin kundër këtyre sulmeve të hapura kundër të shenjtës”, u shpreh Erbaş.
Paludan, lider i partisë Stram Kurs, nën mbrojtjen e policisë dhe me lejen e qeverisë të shtunën dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm.