Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medalje Presidenciale Ushtarake udhëheqësit ushtarakë amerikanë të KFOR-it.
Me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, presidentja ka dekoruar kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets.
Në komunikatë është bërë e ditur se për ushtarët amerikanë janë ndarë mirënjohje për udhëheqjen dhe përpjekjet për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.
“Ajo po ashtu i ka ndarë Mirënjohje Presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se presidentja theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme.
“Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, ka theksuar Osmani.
Ndërkaq, ushtarakët amerikanë kanë falënderuar presidenten për nderimin.
“Ushtarakët amerikanë falënderuan Presidenten Osmani për nderimin, duke shfaqur shpresën që paqja dhe stabilitetit të jenë afatgjate në Kosovë, njësoj sikurse edhe raportet me SHBA-të”.