RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani i përgjigjet KPK-së për kryeprokurorin, e akuzon për presion të paligjshëm

osmani-i-pergjigjet-kpk-se-per-kryeprokurorin,-e-akuzon-per-presion-te-paligjshem

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po ushtron “presion të papranueshëm dhe të paligjshëm” mbi të, lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Ajo ka thënë se e kundërshton veprimin e KPK-së me faktin se si presidente ka qenë vazhdimisht e angazhuar me KPK-në “duke ju ofruar përgjigje lidhur me veprimet e mia që në tërësi janë bazuar në mbrojtje e parimit themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe respektimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë”.

Në letrën dërguar kryesuesit të këshillit, Jetish Maloku, të cilën KOHA e ka siguruar, Osmani i ka rikujtuar se në një takim të zhvilluar më herët e ka njoftuar këshillin se do të pres shterimin e afateve ligjore e kushtetuese, deri kur kandidatët mund t’i adresojnë pretendimet e tyre lidhur me procesin.

“Më lejoni që ta sjellë në vëmendjen tuaj se gjatë takimit të përbashkët që kemi pasur më datë 04.10.2022, ju kam informuar se do ta pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që kandidatët që i janë nënshtruar procedurës së zhvilluar në KPK për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit të mund t’i adresojmë pretendimet e tyre në rrugë gjyqësore”, thuhet në letër.

Osmani ka thënë se kërkesa e KPK-së përpos që nuk ka bazë ligjore, “është edhe e pasaktë në përshkrimin e fakteve dhe paraqitjen e argumenteve”. Aty, Osmani ka përfshirë nenet e Kushtetutës të cilat thonë se kompetenca e KPK-së në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit përfundon në momentin e përmbylljes së procedurës dhe paraqitjes te Presidentja të emrit të propozuar.

Osmani ka thënë se KPK-ja ka shtrembëruar vendimet e gjykatave lidhur me procedurën e zhvilluar në të.

“Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, thotë tutje në letër.

Në fund të letrës, ajo ia ka rikujtuar Malokut edhe një herë se do ta presë shterimin e të gjitha afateve kushtetuese e ligjore që kundërkandidatët kanë në dispozicion për t’i adresuar pretendimet e tyre për parregullsi dhe shkelje.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën i ishte drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që me urgjencë ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Related posts

Promovohet botimi i përkthimit të Kuranit në shqip nga Faton Osmani

admin

Kryeministri spanjoll në Izrael: Të gjithë civilët duhet të mbrohen me çdo kusht

admin6

Ukrainasit luftojnë me çdo çmim për qytetin Bakhmut

admin