Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, zhvilloi dy biseda të veçanta telefonike me ministrat e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit dhe Armenisë, Jeyhun Bayramov dhe Ararat Mirzoyan, transmeton Anadolu.
Siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani menjëherë pas mbërritjes në Astana të Kazakistanit, që është pjesë e turneut të tij në Azinë Qendrore, për shkak të ndjeshmërisë së situatës aktuale në Korridorin e Laçinit dhe nevojës për një reagim të menjëhershëm, zhvilloi biseda të veçanta me homologët e tij nga vendet e Kaukazit Jugor.
“Ministri Osmani shprehu shqetësimin e tij për situatën rreth Korridorit të Laçinit dhe ndikimin në popullatën civile, veçanërisht grupet e prekura, përfshirë gratë dhe fëmijët. Njëherit, Osmani theksoi se është duke e monitoruar me kujdes situatën në Korridorin e Laçinit dhe përsëriti thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe produktiv, si rrugë për zgjidhje të qëndrueshme, në të mirë të popullatës vendase”, thuhet në njoftim.
Nga MPJ e Maqedonisë së Veriut gjithashtu njoftojnë se gjatë bisedës, Osmani theksoi se duhet të mbizotërojnë aspektet humanitare dhe nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve
“Ai thekson gjithashtu nevojën e përdorimit të mekanizmave të OSBE-së dhe masave të duhura si pjesë e zgjidhjeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e besimit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Osmani konfirmoi gatishmërinë e tij për ta vazhduar angazhimin personal, aktiv me palët dhe në këtë drejtim përsëriti se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ofrojë platformë për dialog, duke shtuar përpjekjet dhe zgjidhjet e mundshme për paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.