RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pagat në Mbretërinë e Bashkuar bien me ritmin më të shpejtë në 20 vjet gjatë qershorit

pagat-ne-mbreterine-e-bashkuar-bien-me-ritmin-me-te-shpejte-ne-20-vjet-gjate-qershorit

Pagat reale vazhdojnë të dëmtohen nga rritja e inflacionit, në rrethanat e krizës së vazhdueshme të kostos së jetesës

Vlera reale e pagave të punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar vazhdoi të bjerë me ritmin më të shpejtë në 20 vjet përgjatë muajit qershor, pasi rritja e pagave ishte më e vogël se rritja e inflacionit, në kushtet e krizës së kostos së jetesës.

Zyra për Statistikat Kombëtare deklaroi se rritja vjetore e pagës mesatare, duke përjashtuar shpërblimet, u rrit me 4.7% në tremujorin e dytë, në rrethanat e papunësisë së ulët dhe numrit të lartë të vendeve të lira të punës.

Megjithatë, vlera reale e pagave të punonjësve ra me 3% pas llogaritjes së inflacionit, duke shënuar kështu rënien më të madhe që nga fillimi i regjistrimeve të krahasueshme në vitin 2001.

Rritja e të ardhurave mesatare, duke përfshirë bonuset, ishte 5.1%, megjithëse edhe kjo shifër nuk arriti që të ruante ritmin e rritjes së kostos të jetesës.

Të dhënat e fundit tregojnë shenjat e para të një reduktimi të kërkesës për punësim nga punëdhënësit, pavarësisht se vendet e lira të punës mbeten afër niveleve rekord. Zyra për Statistikat Kombëtare tha se papunësia pësoi një rritje të vogël, duke shkuar në 3.8% përgjatë tremujorit të dytë, ndërsa numri i vendeve të reja të punës ra për herë të parë që nga vera e vitit 2020.

Rritja e punësimit u reduktua në 160,000 përgjatë tremujorit të dytë, një shifër kjo shumë më e vogël se parashikimet e analistëve, duke treguar kështu se tregu i punës po fillon të qetësohet teksa performanca ekonomike e Britanisë është në rënie.

Ruth Gregory, një ekonomiste për Mbretërinë e Bashkuar në firmën e konsulencës Capital Economics, tha: “Shifrat e tregut të punës për muajin qershor zbuluan prova të tjera se dobësimi i ekonomisë po sjell lehtësimin e tregut të punës”.

Kancelari, Nadhim Zahawi, tha se shifrat e fundit tregojnë që tregu i punës në Britani ishte në një pozicion të mirë, me papunësinë që ka arritur nivelin më të ulët se pothuajse në çdo moment tjetër në 40 vitet e fundit. “Ky është një lajm i mirë në këto kohë të vështira për njerëzit,” tha ai.

“Edhe pse nuk ka zgjidhje të thjeshta për presionet e kostos së jetesës me të cilat po përballen njerëzit, ne po ofrojmë ndihmë aty ku mundemi. Ne po ofrojmë një paketë ndihme prej 37 miliardë paund për familjet, përmes granteve në para cash dhe uljes së taksave, në mënyrë që të gjithë të mund të mbajnë më shumë para në xhepat e tyre nga ato që fitojnë.”

Megjithatë, shifrat që tregojnë rënien e paprecedentë të pagave reale të punonjësve mund të shtojnë presionin mbi qeverinë dhe kandidatët konservatorë, në kushtet e krizës së kostos të jetesës.

Laburistët thanë se shifrat tregonin që konservatorët kishin humbur kontrollin e ekonomisë. Jonathan Ashworth, sekretari i punës dhe i pensioneve, tha: “Kjo qeveri zombi nuk po ofron zgjidhje për krizën e kostos së jetesës”.

Inflacioni, i matur nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit, arriti në 9.4% në muajin korrik, norma më e lartë në 40 vite. Me rritjen e re të faturave të energjisë që pritet të ndodhë këtë vjeshtë, Banka e Anglisë parashikon që inflacioni të arrijë një nivel rekord mbi 13%, së bashku me një recesion të gjatë, ndërkohë që familjet reduktojnë shpenzimet e tyre.

Frances O’Grady, sekretarja e përgjithshme e Kongresit të Sindikatave, tha se shifrat tregonin që nevojitet një ndërhyrje urgjente nga ana e qeverisë për të mbështetur familjet, përpara fillimit të një dimri të vështirë. “Ata duhet të anulojnë rritjen e kufirit të çmimit të energjisë. Dhe ata duhet të bëjnë shumë më tepër për të rritur pagat – duke filluar me rritjen e pagës minimale këtë vjeshtë dhe duke u ofruar punonjësve të sektorit publik një rritje të mirë të pagave.”

Të dhënat e pagave zbuluan një hendek të madh midis pagave të punonjësve të sektorit publik dhe atyre të sektorit privat, me këto të fundit që u rritën me 5.9% përgjatë vitit të kaluar, mbi tre herë më shumë se norma e rritjes prej 1.8% në sektorin publik.

Sipas analizës nga firma e kontabilitetit PricewaterhouseCoopers, paga e 1% të punonjësve më të pasur u rrit pothuajse katër herë më shumë se paga e 10% të punonjësve më të varfër, duke nënvizuar kështu faktin se disa familje janë më të izoluara nga kriza e kostos së jetesës se të tjerat.

Fondacioni Resolution tha se rënia e pagave reale ishte më e thellë sesa mund të shihet nga shifrat zyrtare, pasi vlera reale e pagave mesatare javore ka pësuar rënien më të madhe që nga jubileu i argjendtë i Mbretëreshës në vitin 1977./ The Guardian/monitor

Related posts

Islamofobia në Gjermani: Myslimanët nuk denoncojnë shkaku i mosbesimit

admin

Zyrtarë iz’raelitë su’lmuan Harrisin shkaku i apelit për ar’mëpushim në Ga’za

rezart morina

Në ndërtesat e BE-së dhe NATO-s fiken dritat për solidaritet me Ukrainën

admin