Dy urdhër-arreste janë lëshuar për ish-kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, i cili nuk mori pjesë në dy seancat në të cilat u gjykua në vend, transmeton Anadolu.
Seancat dëgjimore u mbajtën në Gjykatën e Qarkut në Islamabad. Në dy raste Khan u gjykua për shitjen e dhuratave nga personalitete të huaja gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe për kërcënimin e një gjyqtareje femër në gusht të vitit të kaluar, sipas lajmeve të medias kombëtare.
Të dyja gjykatat lëshuan urdhër-arrest të veçantë për Khan, i cili nuk mori pjesë në seancë.
Pas vendimit të gjykatës, një ekip nga Departamenti i Policisë së Islamabadit shkoi në Lahore me helikopter për të arrestuar Khan-in.
Khan u largua sot nga shtëpia e tij në Lahore për të mbajtur tubimin e tij të parë për zgjedhjet që do të mbahen në shtetin Punjab më 30 prill.
Më 28 shkurt u lëshua urdhër-arrest për Khan-in, i cili nuk mori pjesë në seancat lidhur me pretendimin se dhuratat e marra nga zyrtarët e huaj janë shitur gjatë kohës së tij si kryeministër.
Policia shkoi për të arrestuar Khan-in më 5 mars, por njoftoi se ai nuk ishte në shtëpinë e tij.
Khan aplikoi në gjykatën më të lartë kundër vendimit dhe gjykata pezulloi urdhrin e arrestit deri më 13 mars.
– Qeveria e Imran Khan ra në prill 2022
Qeveria e Imran Khan kishte rënë me 174 vota “kundër” në votëbesimin e mbajtur në Parlamentin e Pakistanit më 10 prill 2022.
Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër me mbështetjen e shumicës absolute prej 174 vota në zgjedhjet e mbajtura në Parlament më 11 prill.