Qindra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan u përleshën me policinë në qytetin verilindor Lahore pasi policia sot rrethoi rezidencën e tij për ta arrestuar atë me urdhër të gjykatës, raporton Anadolu.
Qindra policë të mbështetur me topa uji dhe transportues të blinduar u nisën drejt rezidencës së fortifikuar të ish-kryeministrit në një lagje të pasur në Lahore, ndërsa aktivistët mbanin shkopinj në duar dhe i gjuanin me gurë.
Policia përdori topa uji për të zmbrapsur aktivistët që gjuanin me gurë nga partia e Khan-it, Tehreek-e-Insaf (PTI), të cilët kishin marrë kontrollin e hyrjes kryesore të rezidencës së liderit të partisë së tyre.
Sipas burimeve policore janë ndaluar disa persona nga PTI.
Mbështetësit e Khan-it, përfshirë gra, u mblodhën para rezidencës së tij në përpjekje për të parandaluar arrestimin e tij. Ata formuan një “mur të gjallë” për të parandaluar policinë të afrohej në shtëpinë e Khan-it.
Shefi i policisë së Lahores, Bilal Kumjana u tha gazetarëve se pjesëtarët e policisë të ngarkuar për arrestimin e ish-kryeministrit Khan “janë të paarmatosur dhe janë këtu thjesht për të zbatuar urdhrat e gjykatës”.
Një ekip i përbashkët i policisë së Islamabadit dhe policisë së Lahores arriti në rezidencën e Khan-it një ditë pasi gjykata e qarkut rinovoi të hënën urdhër-arrestin e tij pasi nuk u paraqit para gjykatës pavarësisht udhëzimeve të Gjykatës së Lartë të Islamabadit në çështjen që ka të bëjë me prokurimin dhe shitjen e paligjshme të dhuratave që iu bënë nga zyrtarë të huaj gjatë kohës sa ishte në pushtet.
Fillimisht, urdhri u lëshua në shkurt, por Gjykata e Lartë e Islamabadit e pezulloi atë javën e kaluar dhe urdhëroi Khan-in të paraqitej në gjykatë më 13 mars.
Më herët, më 5 shkurt, policia nuk arriti të arrestonte ish-kryeministrin për shkak të kundërshtimit të mbështetësve të tij.
اپنی قوم کو میرا پیغام ہے کہ پوری ہمت و استقامت سے کھڑی ہو اور حقیقی آزادی و قانون کی حکمرانی کیلئے میدانِ عمل میں ڈٹ جائے! pic.twitter.com/ln4hLFu8Sp
— Imran Khan (@ImranKhanPTI) March 14, 2023