RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pakistan, policia rrethon rezidencën e ish-kryeministrit Khan në përpjekje për ta arrestuar

pakistan,-policia-rrethon-rezidencen-e-ish-kryeministrit-khan-ne-perpjekje-per-ta-arrestuar

Qindra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan u përleshën me policinë në qytetin verilindor Lahore pasi policia sot rrethoi rezidencën e tij për ta arrestuar atë me urdhër të gjykatës, raporton Anadolu.

Qindra policë të mbështetur me topa uji dhe transportues të blinduar u nisën drejt rezidencës së fortifikuar të ish-kryeministrit në një lagje të pasur në Lahore, ndërsa aktivistët mbanin shkopinj në duar dhe i gjuanin me gurë.

Policia përdori topa uji për të zmbrapsur aktivistët që gjuanin me gurë nga partia e Khan-it, Tehreek-e-Insaf (PTI), të cilët kishin marrë kontrollin e hyrjes kryesore të rezidencës së liderit të partisë së tyre.

Sipas burimeve policore janë ndaluar disa persona nga PTI.

Mbështetësit e Khan-it, përfshirë gra, u mblodhën para rezidencës së tij në përpjekje për të parandaluar arrestimin e tij. Ata formuan një “mur të gjallë” për të parandaluar policinë të afrohej në shtëpinë e Khan-it.

Shefi i policisë së Lahores, Bilal Kumjana u tha gazetarëve se pjesëtarët e policisë të ngarkuar për arrestimin e ish-kryeministrit Khan “janë të paarmatosur dhe janë këtu thjesht për të zbatuar urdhrat e gjykatës”.

Një ekip i përbashkët i policisë së Islamabadit dhe policisë së Lahores arriti në rezidencën e Khan-it një ditë pasi gjykata e qarkut rinovoi të hënën urdhër-arrestin e tij pasi nuk u paraqit para gjykatës pavarësisht udhëzimeve të Gjykatës së Lartë të Islamabadit në çështjen që ka të bëjë me prokurimin dhe shitjen e paligjshme të dhuratave që iu bënë nga zyrtarë të huaj gjatë kohës sa ishte në pushtet.

Fillimisht, urdhri u lëshua në shkurt, por Gjykata e Lartë e Islamabadit e pezulloi atë javën e kaluar dhe urdhëroi Khan-in të paraqitej në gjykatë më 13 mars.

Më herët, më 5 shkurt, policia nuk arriti të arrestonte ish-kryeministrin për shkak të kundërshtimit të mbështetësve të tij.

Related posts

 Marokienët gërmojnë me duar ndërsa dërgohet ndihma e huaj

rezart morina

Bullgari, qeveria e përkohshme merr detyrën

RTI

Vdes mjeku Mentor Salihi, ishte në autoambulancën që u aksidentua më 30 qershor

admin