Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, zbritjen e parave të taksave nga Izraeli e ka quajtur “pirateri”, transmeton Anadolu.
Ministria e Financave e Izraelit tha se ajo do të zbresë para nga fondet që Tel Aviv mbledh në emër të Autoritetit Palestinez (PA) për të shlyer borxhet palestineze të energjisë elektrike për kompaninë ‘Israel Electric Corp’ (IEC).
“Kjo është një pirateri sistematike dhe një vjedhje e parave tona. Këto zbritje janë një deklaratë e luftës financiare që përfundon luftën e vazhdueshme politike kundër popullit palestinez”, tha Shtayyeh.
Kryeministri palestinez kërkoi nga administrata amerikane dhe Bashkimi Evropian (BE) të “ndërhyjnë për të ndaluar të gjitha këto politika”, duke paralajmëruar për “pasoja të rrezikshme” nga vendimi i Izraelit.
Sipas mediave izraelite, borxhi palestinez për IEC-në vlerësohet në rreth 2 miliardë shekelë (526 milionë dollarë). Megjithatë, pala palestineze thotë se borxhet e tyre janë vetëm 800 milionë shekelë (210.5 milionë dollarë).
PA-ja është përballur me vështirësi të shumta ekonomike gjatë viteve të fundit si rezultat i vendimeve izraelite për zbritjen ose ndalimin e transferimit të të ardhurave tatimore palestineze të mbledhura nga Izraeli.
Të ardhurat nga taksat mblidhen nga qeveria izraelite në emër të PA-së mbi importet dhe eksportet palestineze. Izraeli në këmbim fiton një komision prej 3 për qind të të ardhurave të mbledhura.
Të ardhurat tatimore të mbledhura vlerësohen në rreth 30-33 milionë dollarë çdo muaj, për të cilat të ardhurat tatimore përfaqësojnë burimin kryesor të të ardhurave për PA-në.