RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Palestina: Izraeli po e tërheq drejt dhunës rajonin e Lindjes së Mesme

palestina:-izraeli-po-e-terheq-drejt-dhunes-rajonin-e-lindjes-se-mesme

Autoriteti Palestinez (PA) paralajmëroi se masat izraelite, duke përfshirë hyrjen e kolonëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa të Kudsit Lindor, e tërheqin rajonin e Lindjes së Mesme drejt dhunës, transmeton Anadolu.

“Autoritetet okupuese izraelite po e tërheqin rajonin drejt dhunës, përshkallëzimit, tensionit dhe destabilitetit”, tha zëdhënësi i PA-së Nabil Abu Rudeineh në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.

Qindra izraelitë sot u futën me forcë në Al-Aksa, ndërsa disa kolonë ngritën flamuj izraelitë brenda kompleksit përpara se të ndaloheshin nga policia izraelite dhe të nxirreshin jashtë.

Hyrjet e kolonëve erdhën ndërsa Izraeli po përkujton ditën e tij kombëtare, e cila shënon krijimin e vendit mbi rrënojat e Palestinës. Kjo ditë quhet nga palestinezët si “Nakba”, ose Katastrofa.

Abu Rudeineh tha se bastisjet e kolonëve dhe ngritja e flamujve izraelitë brenda Al-Aksasë “tregon se qeveria izraelite po kërkon mënyra për të ndezur situatën”.

“Rrethimi i vendosur në qytetet palestineze në Bregun Perëndimor dhe bastisjet në qytete dhe kampe refugjatësh përbëjnë një dënim kolektiv të popullit palestinez”, shtoi ai.

Zëdhënësi palestinez i bëri thirrje administratës amerikane që të ndërhyjë menjëherë “për të ndaluar këto praktika të rrezikshme dhe për të ushtruar presion mbi Izraelin për të ndaluar të gjitha masat e tij të njëanshme”.

Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit pas bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.

Sipas shifrave palestineze, më shumë se 100 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti. Gjashtëmbëdhjetë izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.

Related posts

Kosovarët vazhdojnë të gjuajnë me armë në dasma

rezart morina

Presidenti egjiptian mbërrin në Katar në vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës

admin

Blinken: Operacioni i madh ushtarak izraelit në Rafah do të ishte një gabim

admin6