Ministria palestineze e Arsimit shpërndau një komunikatë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, ku u kërkohet të gjitha organizatave për të drejtat e fëmijëve “të marrin përgjegjësinë për të frenuar shkeljet e të drejtave nga Izraeli”.
Më shumë se 3.000 nxënës janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, njoftoi të hënën Ministria e Arsimit të Palestinës.
“Më shumë se 5.000 fëmijë, përfshirë më shumë se 3.000 nxënës, humbën jetën në sulmet izraelite”, tha ministria në një komunikatë për Ditën Botërore të Fëmijëve.
Të paktën 23 nxënës gjatë kësaj periudhe janë vrarë gjithashtu në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministria u bëri thirrje të gjitha organizatave për të drejtat e fëmijëve “të marrin përgjegjësinë për të frenuar shkeljet e të drejtave nga Izraeli dhe për t’u dhënë fund krimeve të tyre”.
“Skenat e fëmijëve dhe studentëve të vrarë në Rripin e Gazës shkelin të gjitha normat ndërkombëtare”, tha ministria, duke shtuar se kjo “zbulon mentalitetin e pushtimit dhe shënjestrimin e tij të vazhdueshëm ndaj institucioneve arsimore”.
Të paktën 13.000 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 9.000 gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 30.000 njerëz të tjerë janë plagosur që kur Izraeli filloi bombardimin e Rripit të Gazës pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore izraelite në enklavën e rrethuar.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është rreth 1.200.