RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Palestinezët dënojnë mbledhjen e qeverisë izraelite brenda tuneleve të murit Al-Buraq të Al-Aksa-s

palestinezet-denojne-mbledhjen-e-qeverise-izraelite-brenda-tuneleve-te-murit-al-buraq-te-al-aksa-s

Palestinezët dënuan të dielën një takim të qeverisë izraelite brenda tuneleve të Murit Perëndimor [Muri Al-Buraq] të kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

Herët të dielën, qeveria e kryesuar nga Benjamin Netanyahu mbajti takimin e saj javor brenda një prej tuneleve për të shënuar përvjetorin e pushtimit të Jerusalemit Lindor nga Izraeli në 1967.

Autoriteti Palestinez paralajmëroi se masa izraelite do të inkurajonte projektet e mëtejshme të vendbanimeve në kurriz të pranisë palestineze në Jerusalem.

“Qeveria okupatore izraelite po kërkon të përforcojë sovranitetin e saj në Jerusalemin Lindor dhe të paraqesë një tregim të rremë në kurriz të realitetit historik të rajonit, rrënjët e të cilit janë islamike, të krishtera, palestineze dhe arabe”, tha Ahmed Al-Ruwaidi, këshilltar i Presidentit palestinez Mahmud Abbas.

Ministria e Jashtme palestineze tha se ndjenja e mosndëshkimit të Izraelit inkurajon Tel Avivin të shkojë shumë larg “në procesin e aneksimit dhe judaizimit të Jeruzalemit”.

Ministria tha se të gjitha masat dhe politikat izraelite në Jerusalem janë “të pavlefshme dhe të paligjshme” dhe nuk i japin Izraelit asnjë të drejtë të aneksojë Jerusalemin ose të ketë sovranitet mbi qytetin.

Grupi Hamas, i cili sundon Rripin e Gazës, e cilësoi mbledhjen e kabinetit izraelit si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Këto hapa janë një përpjekje për të falsifikuar identitetin e Jeruzalemit, të cilat janë një agresion i hapur ndaj popullit tonë,” tha në një deklaratë zëdhënësi i grupit Hazem Qassem.

Në vitin 1996, palestinezët zbuluan se Izraeli gërmoi fshehurazi një tunel që të çonte në zonën e Murit të lashtë Al-Buraq, duke shkaktuar përleshje me palestinezët që lanë 63 të vdekur dhe 600 të plagosur.

I njohur për hebrenjtë si “Muri perëndimor ose i vajtimit”, Muri Al-Buraq është pjesa perëndimore e kompleksit të xhamisë Al-Aksa, e cila për muslimanët përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë.

Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. /mesazhi

Related posts

Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet kryesore gjatë natës

rezart morina

Koreja e Veriut lëshon edhe një raketë balistike me rreze të gjatë

admin

Kongresi amerikan miraton Rezolutë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, del me kërkesa ndaj Serbisë

admin