Papa Françesku ka thënë të dielën se valët e fundit të të nxehtit në shumë pjesë të botës, dhe përmbytjet në vendet si Koreja e Jugut, kanë treguar se nevojiten më shumë veprime urgjente për të luftuar ndryshimet klimatike.
“Ju lutem, ua përsëris thirrjen time udhëheqësve botërorë të bëjnë diçka më konkrete për të kufizuar emetimet ndotëse”, ka thënë papa më 23 korrik, në fund të një adresimi para turmave në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
“Është sfidë urgjente, nuk mund të shtyhet, i prek të gjithë. Le ta mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët”, është shprehur ai, raporton Reuters.
Françesku i ka bërë thirrje botës të heqë dorë sa më parë nga karburantet fosile, dhe e ka bërë mbrojtjen e mjedisit objektiv kyç të papatit të tij.
Ai ka thënë më 2015, në enciklikën e tij “Ti qofsh lëvduar o Zot”, se planeti “ka nisur t’i ngjasojë gjithnjë e më shumë një grumbulli të madh mbeturinash”.
Të dielën, papa ka shprehur solidaritetin e tij me ata që po vuajnë nga kriza klimatike dhe me ata që po u ndihmojnë atyre.
Disa pjesë të jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë goditur nga një valë rekorde e të nxehtit, përderisa temperatura ekstreme janë regjistruar edhe në Kinë dhe në Evropën jugore, përfshirë Italinë dhe Greqinë.
Një zjarr i egër në ishullin grek të Rodosit detyroi mijëra turistë dhe banorë të strehohen në shkolla dhe në stadiume të mbyllura, të dielën, pasi ata u evakuuan nga fshatrat dhe qendrat pushimore bregdetare. /rel