RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Parlamenti Evropian përditëson të drejtat e udhëtarëve ajror për herë të parë që nga viti 2004

parlamenti-evropian-perditeson-te-drejtat-e-udhetareve-ajror-per-here-te-pare-qe-nga-viti-2004

Parlamenti Evropian ka njoftuar se ligjvënësit e Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për forcimin e të drejtave të pasagjerëve ajrorë në të gjithë bllokun, duke ruajtur kompensimin për vonesat e fluturimeve mbi tre orë dhe duke vendosur rregulla më të rrepta për rimbursimet, transparencën e çmimeve dhe kujdesin ndaj pasagjerëve, transmeton Anadolu.

Negociatorët e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së ranë dakord për rregulla të rishikuara që synojnë të përditësojnë kuadrin e të drejtave të pasagjerëve ajror për herë të parë që nga viti 2004.

Sipas marrëveshjes, pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtë për kompensim prej 250 eurosh për fluturimet e shkurtra deri në 1.500 kilometra, 400 euro për fluturimet e mesme nga 1.500 deri në 3.500 kilometra dhe 600 euro për fluturimet e gjata.

Kompanitë ajrore mund të ulin kompensimin me 50 për qind në disa raste, nëse ofrohet ri-drejtim i fluturimit ose nëse vonesat mbeten të kufizuara.

Kompensimi do të zbatohet në rastet e vonesave më të gjata se tre orë, anulimeve të fluturimeve të bëra më pak se 14 ditë para nisjes dhe refuzimit të hipjes në avion.

Megjithatë, transportuesit do të përjashtohen nga pagesa e kompensimit në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme, përfshirë fatkeqësitë natyrore, luftën, motin e rëndë, pasagjerët problematikë dhe ndërprerjet e shkaktuara nga shërbimet e aeroportit ose të kontrollit ajror.

Ligjvënësit e BE-së thanë se linjat ajrore duhet të vazhdojnë të ofrojnë kujdes për pasagjerët e bllokuar, përfshirë pije freskuese çdo dy orë, vakte pas tre orësh dhe akomodim deri në tre net, kur është e nevojshme.

Marrëveshja gjithashtu vendos rregulla më të rrepta për procedurat e rimbursimit, duke kërkuar që kompanitë ajrore t’i informojnë pasagjerët brenda katër ditësh nga ndërprerja e udhëtimit për mënyrën se si mund të kërkojnë kompensim.

Pasagjerët do të kenë deri në nëntë muaj për të paraqitur kërkesat e tyre, ndërsa kompanitë ajrore duhet të përgjigjen brenda 30 ditësh.

Ligjvënësit gjithashtu siguruan masa për ulëset dhe qasjen, duke kërkuar që fëmijët nën moshën 14 vjeç të ulen pranë të rriturve që i shoqërojnë pa kosto shtesë, si dhe mbrojtje të ngjashme për personat me aftësi të kufizuara dhe gratë shtatzëna.

Dispozita të tjera përfshijnë ndalimin e tarifave për korrigjime të vogla të emrit dhe për kartat e imbarkimit të printuara, si dhe detyrimin për kompanitë ajrore dhe platformat e rezervimit që të shfaqin paraprakisht çmimin e plotë të biletës, përfshirë bagazhin e dorës kur është e zbatueshme.

Marrëveshja tani kalon për miratim përfundimtar në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së, ndërsa votimi pritet të zhvillohet gjatë seancës plenare të Parlamentit në muajin korrik.

Related posts

Escobar: Marrëveshja e Ohrit historike, mbështesim Ballkanin e Hapur

admin

Avokati i Aurona Pelajt: Ende s’janë kryer hetimet, ajo mund të ketë ikur në Gjermani

admin

Tërmet me mangnitudë 3.9 në Shqipëri

admin