RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Partia e Mitsotakisit fiton zgjedhjet në Greqi – VIDEO

partia-e-mitsotakisit-fiton-zgjedhjet-ne-greqi-–-video

Me brohorima kanë pritur përkrahësit e partisë Demokracia e Re rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 21 majit, që përmbajnë surpriza të mëdha, ose një tërmet politik siç e kanë quajtur, pasi shënojnë një prej fitoreve më të mëdha të konservatorëve të cilët kanë dalë fitimtarë duke siguruar 40,8% të votave, më shumë se 4 vjet më parë, por edhe humbjen katastrofike të partisë më të madhe opozitare Syriza që është shembur duke marrë vetëm 20,7% të votave.

Megjithë kritikat e partive të opozitës ndaj qeverisë Mitsotakis, grekët kanë preferuar vazhdimësinë e politikave të konservatorëve dhe për herë të parë pas dekadash, harta e vendit është thuajse tërësisht blu.

“Me votën e tyre grekët treguan se i njohin hapat e rëndësishëm përpara që ka bërë vendi ynë në këto katër vite. Të dhënat e kutisë së votimit janë katalitike. Ata dëshmojnë se Demokracia e Re ka miratimin e qytetarëve për të qeverisur në mënyrë të pavarur dhe të fuqishme. Në fund të fundit, këtë kërkuan votuesit sot dhe e kërkuan fuqishëm , do të thosha në mënyrë absolute”- tha lideri i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.

Për shkak të sistemit proporcional të thjeshtë të djathtët nuk mund të sigurojnë që tani shumicën parlamentare dhe duke qenë se 4 partitë e tjera që hyjnë në parlament, kundërshtojnë mundësinë e një koalicioni, Greqia shkon në zgjedhje përsëri në fund të qershorit. Gjithsesi lideri i Syrizës Aleksis Tsipras që ka përgëzuar rivalin e tij, ka deklaruar se nuk i lëshon armët.

“Cikli zgjedhor nuk ka përfunduar ende pasi ndoshta do të ketë një garë të dytë zgjedhore, kështu që nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëjmë menjëherë të gjitha ndryshimet e nevojshme për të dhënë më të mirën e mundshme në betejën e ardhshme vendimtare dhe përfundimtare elektorale”- tha Lideri i Syriza, Aleksis Tsipras.

Për një mbrëmje fitoreje flasin jo vetëm socialistët që renditen në vendin e tretë me 11,6% duke përmirësuar ndjeshëm përqindjen e tyre krahasuar me 4 vjet më parë, por edhe komunistët dhe partia e djathtë Zgjedhja Greke.

Të humbur konsiderohen të majtët e ish ministrit të Financave, Gianis Varufakis që nuk kanë mundur të hyjnë në parlament, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak më e lartë se viti 2019, në rreth 60%. /koha

Related posts

Blinken: Uria nuk duhet të përdoret si armë

rezart morina

OKB: Mbi 400 migrantë humbën jetën gjatë T1 2023

rezart morina

Palestinë: Këtu janë disa nga zhvillimet kryesore gjatë natës

rezart morina