RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pasiguria ushqimore në Nigeri gjithnjë e më e rëndë për shkak të incidenteve terroriste

pasiguria-ushqimore-ne-nigeri-gjithnje-e-me-e-rende-per-shkak-te-incidenteve-terroriste

Për shkak të sulmeve të Boko Haramit në verilindje të Nigerisë dhe organizatës terroriste ISWAP, degë e DEASH-it në Afrikën Perëndimore, njerëzit e rajonit po përballen me një problem serioz të pasigurisë ushqimore.

Në shtetet Adamawa, Borno dhe Yobe të Nigerisë, njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve terroriste, ndërsa në rajonet ku strehohen, përjetojnë si pasiguri ushqimore, ashtu edhe probleme strehimi.

Të rriturit e zhvendosur nga sulmet terroriste dhe të strehuar në kampe, luftojnë për të përballuar urinë pasi nuk mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm, ndërsa fëmijët vuajnë nga kequshqyerja.

Sulmet e shpeshta terroriste të Boko Haramit dhe ISWAP-it pengojnë shkuarjen e njerëzve në fushat e tyre bujqësore, ndërsa burimi i vetëm i mbijetesës së tyre është bujqësia.

Zyra e Koordinatorit të Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara në Nigeri ka paralajmëruar se 4,3 milionë njerëz në verilindje të vendit po përballen me një krizë ushqimore dhe se situata do të përkeqësohet nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.

– “Rreth 75 fëmijë shtrohen në spital çdo javë për shkak të kequshqyerjes së rëndë”

Koordinatori i Projektit Shtetëror të Mjekëve Pa Kufij (MSF) në Borno, Gabriele Santi, tha për Anadolu se problemet e kequshqyerjes të regjistruara që nga fillimi i këtij viti kanë arritur nivelin më të lartë në krahasim me një vit më parë.

Duke theksuar se problemi i pasigurisë ushqimore me të cilin përballen të zhvendosurit dhe ata që jetojnë në kampe po përkeqësohet, Santi tha: “Rritja masive e numrit të fëmijëve të kequshqyer kërkon zgjerim të menjëhershëm të aktiviteteve të parandalimit dhe trajtimit të kequshqyerjes, në mënyrë që të shmanget një situatë katastrofike, pasi është arritur limiti i urisë”.

Santi deklaroi se ka pasur një rritje të rasteve të kequshqyerjes akute të moderuar dhe të rëndë në spitalet në shtetin Borno.

Duke u shprehur se afërsisht 75 fëmijë janë shtruar në spital për kequshqyerje të rëndë çdo javë që nga janari, Santi deklaroi se kjo shifër është rreth 3 herë sa mesatarja për të njëjtën periudhë të pesë viteve të fundit.

Santi nënvizoi se nevojitet ndërhyrje urgjente për të parandaluar problemin e pasigurisë ushqimore në rajon.

– Fëmijë 2-vjeçar i shtruar në spital për shkak të kequshqyerjes

Aisha Sani, 28 vjeçe, e cila është zhvendosur nga rajoni Gwoza i shtetit Borno dhe jeton në kamp, ​​tha se problemi më i madh me të cilin përballen aty është ushqimi.

Ajo theksoi se nuk mund shkojnë në fusha për shkak të sulmeve terroriste dhe se jetesa e tyre varet nga ndihmat humanitare.

“Ndonjëherë nuk mund të gjejmë ushqim për ditë të tëra, sepse ndihmat humanitare që marrim nuk mjaftojnë. Kam pasur tre fëmijë, por i kam humbur dy për shkak të urisë”, tha Sani, duke shtuar se fëmija i saj i mbijetuar dyvjeçar, megjithatë, është shtruar në spital për shkak të kequshqyerjes.

Ndërkaq, Buba Hadiza, e cila ka sjellë fëmijën e saj në spital për shkak të kequshqyerjes, deklaroi se fëmija i saj është vazhdimisht i sëmurë pasi nuk gjejnë ushqim të mjaftueshëm në vendin ku qëndrojnë.

Duke theksuar se fëmija i saj është gati të vdesë nga uria, nëna Hadiza tha se problemi më i madh me të cilin përballen është nevoja për strehim dhe ushqim.

Hadiza bëri thirrje për “ndihmë shumë urgjente”.

Related posts

Zelenskyy vendos sanksione ndaj bizneseve që plotësojnë nevojat e ushtrisë ruse

rezart morina

Pendarovski: Shërbimi inteligjent rus, pas strukturave bullgare që bëjnë fushatë anti-maqedonase

admin

“Gaza është bërë një vend i vdekjes dhe dëshpërimit”

admin