RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

PDK akuzon Kurtin për “shkatërrim” të administratës publike

pdk-akuzon-kurtin-per-“shkaterrim”-te-administrates-publike

Partia Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Qeverinë Kurti për politizim dhe shkatërrim të administratës publike.

Në një konferencë për media anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se nisma për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që Kosova e ka me BE-në.

“Me këtë ligj shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit për Kosovën, sepse neni 120 i saj kërkon bashkëpunim me Bashkimin Evropian në fushën e reformave në administratën publike. Vlen të theksohet që edhe Zyra e BE-së në Kosovë e ka kundërshtuar këtë ligj. Neni 19 i Kushtetutës përcakton qartë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, Ligji për Zyrtarë Publikë nuk mund të jetë në kundërshtim me MSA-në sepse kështu ai është në kundërshtim edhe me Kushtetutën”, theksoi Gruda, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ai tha se shumë nga vërejtjet e gjykatës lidhur me këtë ligj nuk janë adresuar, edhe pse Qeveria ka qenë e obliguar që të bëjë këtë si dhe nuk ka pasur konsultim publik për të.

“Ushtruesit e detyrës kanë një mandat prej 12 muajsh me mundësinë e vazhdimit edhe për 12 muaj të tjerë. Neni 17, paragrafi 3 thotë: “ Nëpunësit civilë të emëruar në pozita të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohen se fillojnë mandatin e parë me hyrjen në fuqi të këtij ligji”. Kjo është në tërësi në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Neni 11, paragrafi 5, përcakton: “Nëse brenda afatit prej nëntë (9) muajsh nëpunësi civil nuk sistemohet apo refuzon sistemimin në ndonjë pozitë të lirë të shërbimit civil, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil”. Ky është një mekanizëm për shantazh dhe largim nga puna i nënpunësve publikë”, shpjegoi Gruda.

Ai tha se edhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial është jokushtetues.

“Kjo po bëhet me tendencë për ndikim politik mbi organin e akuzës, sepse përbërja e tij është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si sa i përket përfshirjes së politikës në KPK ashtu edhe përfshirjes së një anëtari nga Avokati i Popullit”, tha Gruda.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë të ndalë veprimet që bien ndesh me Kushtetutën, MSA-në dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në të kundërtën do t’i dërgojë këto ligje në Kushtetuese.

Related posts

Vendet aziatike mbajnë pasaportat më të fuqishme në botë për vitin 2023; Shqipëria në vendin e 51, me 115 destinacione

admin

Erdoğan: Kryeministri grek nuk ka njohuri mbi rregullat e protokollit

admin

Aksion policor në Brezovicë, Prokuroria në Ferizaj jep detaje

admin