Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se programi i tij qeverisës, që vitin e parë, do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas dy vitesh.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se aktualisht janë 149 mijë pensionistë kosovarë që marrin nga vetëm 100 euro në muaj, shumë kjo e pamjaftueshme për jetesë normale.
Jakaj ka thënë se reformat pensionale dhe sociale janë paraparë në programin qeverisës 2021-2025, por ato nuk kanë ndodhur.
“Në programin qeverisës 2021-2025 është paraparë reforma pensionale dhe sociale, por ajo nuk ka ndodhur brenda dy viteve të para. Kanë ndodhur disa propozime, disa vendime, por reforma nuk ka pasur”.
“Aktualisht janë 200 mijë pensionistë; 49 mijë janë kontribut-pagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë të cilët marrin shumën mujore prej 100 eurove. Shuma prej 100 eurove nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye konsiderojmë si IKD se reforma pensionale dhe sociale duhet të behët sa më shpejt”, tha ai.
Jakaj tha se gjendja e pensionistëve është rënduar edhe më shumë nga krizat botërore dhe rritja e çmimeve e produkteve bazë.
“Sot pensionistët ballafaqohen me jetesë të rëndë, si pasojë e tri krizave botërore: Pandemia, kriza energjetike dhe kriza e shkaktuar nga agresioni rus që ka ndodhur në Ukrainë. E kemi parë sesi prokutet bazë, si kripa, buka, mielli, pemët, perimet e mishi, janë shtrenjtuar; është shtrenjtuar çmimi i energjisë, çmimi i banimit. Për këtë arsye Qeveria është dashur ta bëjë ndryshimin. Jo t’i zvogëlojë pensionet në emër të reformës, por në emër të kësaj skeme të zgjerohen ato, që ata të mos kenë probleme për ta kaluar një muaj jetesë”, tha ai.
Tutje, ai e ka cilësuar të drejtë vendimin e i Gjykatës Kushtetuese për t’u shfuqizuar dispozita ligjore për pensionistët të cilët nuk kanë pasur 15 vjet përvojë pune.
“Si rezultat i mosreformimit të Ligjit për skemat pensionale, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizon dispozitën ligjore, përkatësisht një nen diskriminues për pensionistët të cilët nuk kanë mundur ta marrin pensionin e plotë për shkak se nuk e kanë 15-vitshin, para 31 janarit të vitit 1999. Fatmirësisht kjo dispozitë është shfuqizuar dhe është urdhëruar Kuvendi dhe Qeveria që t’i bëjnë ndryshimet deri me 15 korrik 2023″, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, tha se as kjo Qeveri nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës.
“Nuk është vetëm kjo Qeveri, por të gjitha qeveritë, në kampanja zgjedhore premtojnë mjaltë dhe tamël, por në realitet na ofron therra dhe shkurre. Edhe kjo qeveri nuk i ka përmbushur premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës”, tha ai.
Gashi tha se kur flitet për pensionistët, duhet të pyeten vetë ata, por që Ministria e Financave ka refuzuar vazhdimisht që t’i përfshijë në proces.
“Më e keqja është se nuk ka vesh me dëgju dhe nuk e ka sensin e të dëgjuarit. Kur bëhet fjalë për pensionistët duhet të pyeten pensionistët. Ne nuk jemi të verbër, nuk jemi të shurdhër. Ne nuk jemi më pak të ngritur në aspektin profesional dhe intelektual sesa ata që po vendosin për ne, bile po them me kompetencë që ata janë më pa përvojë dhe me pak të informuar për këto çështje sesa që janë pensionistët”, tha ai.
“Këta kanë vendosë me na pre një këmishë, pavarësisht që s’i kanë matë dimensionet tona sa janë. Dimensionet tona janë të gjithë popullatës së Kosovës që është me një inflacion deri në 60 për qind brenda 2 viteve. Qeveria e ka me ligj që ta bëjë vlerësimin e indeksit të inflacionit çdo fund vit dhe komfor inflacionit t’i rrisë pensionet për çdo vit”, tha ai.
“Ne po e dëgjojmë në media që është duke u bërë reformë. Ne i kemi bërë shkresë zyrtare përmes email-it Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të përfshijnë një person nga Lidhja e Pensionistëve në Komisionin për hartimin e këtij draft-ligji. Ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, nuk na kanë ftuar kurrë. Kemi bërë kërkesë që të kemi një kopje të këtij draft-ligji dhe as kopje nuk na kanë dërguar. Për ata ne nuk ekzistojmë dhe për ata ne nuk paraqesim asgjë”, tha ai.
Gashi tha se më shumë se gjysma e parave që pensionistët marrin shkojnë në barna, kështu që atyre nuk u mbetet asgjë për ushqim e nevoja të tjera të jetës.
“Nuk mundesh me lidhë fillimin e muajit me fundin e muajit me 100 euro. Mesataren që e shpenzojnë pensionistët për barna është diku 60 euro dhe ju mbeten 40 euro. Nëse 40 euro përdoren për ushqim, nga një byrek në ditë që është 130 cent një, tani nuk ka as drekë as darkë, as për të paguar rrymë, as për ngrohje, as veshmbathje”, u shpreh tutje ai./EO