Për gjashtë ditë, tre persona janë vrarë në Kosovë, duke lënë gjithashtu disa të plagosur.
Vrasja e parë ndodhi në një lokal në Prishtinë, ku mbeti një i vrarë e disa të lënduar. Lidhur me rastin, Prokuroria në njoftimin e saj ka konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Ndërkaq më 7 gusht një vrasje ka ndodhur në Klinë. Rasti ka ndodhur po ashtu në një nga lokalet e këtij qyteti. Viktima ishte dërguar me plagë të rënda në QKMF të Klinës, ndërsa nga aty është transferuar në Spitalin e Pejës ku është konstatuar vdekja e tij. Lidhur me vrasjen në Klinë, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit. I dyshuari për vrasjen është Tush Frroku (1975). Siç ka bërë të ditur Policia, i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur me pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit. Policia është vënë në ndjekje dhe në fshatin Kosh të Istogut ka gjetur veturën e braktisur. Viktima në këtë rast është shtetas i Zvicrës.
Vrasja e tretë ku mbeten edhe tre të plagosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Runik të Skenderajt në një lokal. Viktima është një 39-vjeçar.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.