Përfaqësuesi i presidentit palestinez në OKB, Ziad Abu Amr, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbështesë agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, ose UNRWA, si dhe të bëjë presion ndaj Izraelit që të ndalojë vuajtjen e popullatës së Gazës, raporton Anadolu.
Abu Amr i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij në një seancë të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për UNRWA-në, e mbajtur me kërkesë të Algjerisë dhe Jordanisë.
“Ne bëjmë thirrje për mbështetje financiare dhe politike për UNRWA-në dhe presion ndaj Izraelit që të mos dëmtojë punonjësit e saj”, tha ai, duke shtuar:
“Izraeli duhet të jetë i vendosur nën presion për të ndaluar urinë e popullit palestinez dhe për të respektuar ligjet e OKB-së”.
Përfaqësuesi palestinez vuri në dukje se “fushatat izraelite shpifëse kundër UNRWA-së nuk janë të reja dhe shërbejnë për të minuar rolin e saj në shërbimin për refugjatët palestinezë”.
Ai theksoi se “nuk ka alternativë ndaj UNRWA-së”.
UNRWA është “organizata e vetme ndërkombëtare që kombinon mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe shërbimin ndaj popullit palestinez”, shtoi ai.