Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për sulm terrorist në Banjskë. Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, ndërsa pritet të bëhet publik vendimi.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit.
Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Të hënën në mbrëmje janë publikuar pamjet nga droni, në të cilën shihen lëvizjet e sulmuesve serbë brenda dhe jashtë Manastirit të Banjskës.