Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se tashmë ka përfunduar subvencionimi i energjisë elektrike për sezonin dimëror, ndërkaq gjatë muajve në vijim do të subvencionojnë vetëm familjet në nevojë.
Murati përmes një konference për media së bashku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasaorin Tomáš Szunyog ka thënë se Bashkimi Evropian ka dhënë një ndihmë shumë të madhe për vendin përmes një pako mbështetëse prej 75 milionë euro.
Ai tha se Kosova ka kursyer energji elektrike, ndërkaq me masën e subvencionimit për energji elektrike janë ndihmuar mbi 200 mijë familje.
Ministri i Financave po ashtu tha se për tre muaj subvencionimi është bërë nga buxheti i shtetit dhe për katër muaj të tjerë mbulimi i subvencionimit të energjisë është bërë nga BE-ja, në vlerë prej 15 milionë euro, raporton Telegrafi.
“Kosova gjatë dy viteve të fundit është përballur me një krizë energjetike. Kjo gjë ka ndikuar që ne si shtet të ndërmarrim hapa dhe masa të rëndësishme sa i përket rritjes së eficiencës, gjenerimit shtesë, por edhe kursimit të energjisë. Nga këto masa njëra ka qenë edhe për subvencionimi i energjisë, të cilën e patëm lansuar në muajin shtator fillimisht si pilotim dhe testim, e që për tre muajt e parë është financuar nga buxheti i shtetit dhe gjatë diskutimeve që kemi pasur me BE-në, është përfshirë në pakon mbështetëse të BE-së, që ka qenë dhe është miratuar në vlerën prej 75 milionë euro. Dhe katër muajt tjerë në vijim ka qenë të paraparë të mbulohen nga ky fond”, ka thënë Murati.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe ministri i Financave, Hekuran Murati
Murati po ashtu tha se tashmë ka përfunduar subvencionimi i energjisë elektrike për sezonin dimëror, dhe gjatë vitit do të subvencionojnë vetëm familjet në nevojë.
“… kjo do të jetë përmbyllja e kësaj mase të kursimit e cila ka qenë për periudhën apo sezonin dimëror të këtij viti. Normalisht që do të ketë masa të tjera, që po ashtu janë paraparë dhe pako të BE-së, ku janë paraparë edhe 25 milionë euro të tjera që do të jenë përgjatë vitit, pra mbështetje për familjet në nevojë, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë dhe barra apo fatura e energjisë elektrike për ta”, u shpreh ai.
Tutje Murati theksoi se këtë vit janë kursyer 88 milionë euro import, krahasuar me vitin e kaluar.
“Sa i përket kësaj mase, do të doja të ndaja disa shifra. Ka qenë mbi 200 mijë numri i familjeve që kanë përfituar çdo muaj, dikush më shumë e dikush pak më pak, dhe kanë qenë të kursyera shumë më shumë kilovat në orë energji elektrike të cilat nuk i kemi importuar. Dhe kemi bërë përllogaritje që po të ishin importuar dhe të mbahej konstant konsumi më vitin paraprak do të figuronte një import shtesë prej 88 milionë euro…pra përmes kësaj mase mund të themi që kemi kursyer 88 milionë euro nga importi, pra janë mjete që nuk janë dërguar jashtë vendit dhe nuk është importuar energji elektrike, por për më tepër është kursim për taksapaguesit, kursim për qytetarët…”, ka thënë Murati.