RTV AHIRETI
Lajme

Përkujtohet ushtari turk i KFOR-it që humbi jetën në Kosovë, Hüseyin Kutlu

perkujtohet-ushtari-turk-i-kfor-it-qe-humbi-jeten-ne-kosove,-huseyin-kutlu

Një ceremoni përkujtimore është mbajtur për rreshterin turk të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Hüseyin Kutlu, në 24 vjetorin e rënies së tij gjatë detyrës në territorin e Kosovës, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e mbajtur në selinë e KFOR-it në Prishtinë morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, nënsekretarja e Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë, Şeyda Çimeli Aydın, Atasheu Ushtarak Çagdaş Akif Kahraman dhe shumë njerëz nga fushveprime të ndryshme të KFOR-it.

Derisa sekretarja Çimeli Aydın vendosi një kurorë lulesh në monumentin e rreshterit Hüseyin Kutlu, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.

Në fjalën e tij në ceremoni, komandanti i KFOR-it Ristuccia falënderoi ushtarët turq që kanë shërbyer deri më tani në kuadër të KFOR-it për përpjekjet e tyre.

Ristuccia tha se rreshteri i lartë Kutlu bëri një sakrificë dhe u përpoq të shkatërronte bombën për të mbështetur operacionet e KFOR-it në rajonin e Dragashit.

“Rreshteri Kutlu, si shumë ushtarë, po përmbushte detyrën e tij për të siguruar paqen dhe sigurinë këtu në Kosovë”, tha ai.

Nënsekretarja Çimeli Aydın, nga ana tjetër, theksoi se prania e KFOR-it në Kosovë është e një rëndësie jetike për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

“Sakrifica e guximshme e nënoficerit Hüseyin Kutlu do të konsiderohet gjithmonë si një kontribut i madh në punën e KFOR-it. Si një anëtare e NATO-s, Türkiye do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur paqen dhe stabilitetin e Kosovës”, tha ajo.

Në anën tjetër, edhe pranë monumentit të Hüseyin Kutlu në Komunën e Dragashit është mbajtur një ceremoni përkujtimore.

Ambasadori i Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Fikrim Damka dhe shumë të ftuar morën pjesë në ceremoninë në Dragash.

Kultu lindi në vitin 1963 në Eskişehir të Türkiye-s. Pasi u diplomua si rreshter shtabi nga Komanda e Shkollave Teknike të Forcave Ajrore Turke në vitin 1982, ai shërbeu në bazat kryesore të avionëve gjatë periudhës 1982 dhe 1994.

Më 7 korrik 1999 ai u caktua në Task Forcën e KFOR-it si shef i ekipit për asgjësimin e mjeteve shpërthyese në Dragash të rajonit të Prizrenit, ku humbi jetën më 22 shtator 1999 pas shpërthimit të një mortaje të luftës, derisa përpiqej ta çaktivizonte atë.

Kutlu ishte i martuar dhe la dy fëmijë. Familja e tij jeton në Eskişehir.

Related posts

Rritja e një fëmije në Gjermani kushton rreth 150 mijë euro

admin

Irani amniston 22 mijë protestues

admin

Lufta hibride/ Kërcënimi i Moskës duke përdorur sulme kibernetike e propaganda, Gjermania përgatitet kundër ndikimit rus

admin