Përkundër zhvillimeve që e kanë kapluar Kosovën, krerët institucionalë shihen të relaksuar në ballkonin e Qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti, ka publikuar një fotografi në llogarinë e tij në Facebook, teksa ka shkruar “Një pasdite e këndshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, me Presidenten, Kryekuvendarin, zëvendëskryeministren Gërvalla dhe zëvendëskryeministrin Bislimi”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, më 10 korrik u takuan në Bratisllavë.
Ata thanë se kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit, por asnjë nga zyrtarët nuk tregoi se për çfarë saktësisht janë pajtuar.
Megjithatë, situata në veri ende nuk është shtensionuar.
Të martën gjatë ditës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të përgjigjet nëse është afër të arrihet shtensionimi i situatës në veri.
Këtë deklaratë Hovenier e bëri një ditë pasi zyrtarë nga Kosova dhe Bashkimi Evropian thanë se kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt uljes së tensioneve.
“Çfarë mund të them nga perspektiva e SHBA-së është se kjo është shumë e rëndësishme dhe mund të përsëris atë që e kemi thënë shpesh, e që është se shpresojmë që të shohim një shtensionim të plotë në veri. Ne duam që t’i kthehemi punës që vërtetë është e rëndësishme, në mënyrë që të shohim zbatimin e plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo nënkupton shmangien e krizave të reja që pengojnë përpjekjet tona që kjo marrëveshje shumë e rëndësishme dhe strategjike të zbatohet”, tha Hovenier gjatë një konference në Pejë.
Ndryshe, Bashkimi Evropian ka paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.