RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përmbytjet në Libi: “Gjithçka u shkatërrua sa hap e mbyll sytë”

permbytjet-ne-libi:-“gjithcka-u-shkaterrua-sa-hap-e-mbyll-syte”

“Dëgjuam një shpërthim të madh, më pas uji ishte kudo, duke fshirë gjithçka sa hap e mbyll sytë”, tregojnë të mbijetuarit nga qyteti libian Derna për fatkeqësinë e përmbytjeve të shkaktuar nga stuhia mesdhetare “Daniel”, e cila goditi lindjen e vendit në agimin e së dielës.

Të paktën 6.000 njerëz kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë mbeten të zhdukur për shkak të përmbytjeve të fundjavës në Libinë lindore, sipas zyrtarëve.

Shirat e rrëmbyeshëm përfshinë disa rajone, veçanërisht qytetet Derna, Bengazi, Al-Bayda, Al-Marj dhe Susa.

“Gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë”, tha për Anadolu Farhat Boudhahab, një i mbijetuar, duke përshkruar fatkeqësinë e përmbytjeve.

“Lartësia e ndërtesave, forca e themeleve dhe vendndodhja e tyre në zonat e luginës së qytetit ishin faktorët që përcaktuan shanset tona për të mbijetuar”, thotë Boudhahab.

“Qytetarët që banonin në ndërtesa të larta me themele të forta ishin në gjendje të mbijetonin”, thekson ai.

Ai shpjegoi se “banorët duhej të ngjiteshin në majë të ndërtesave të tyre të banimit derisa ujërat e rrëmbyeshëm të tërhiqeshin”.

“Banorët e ndërtesave të vendosura në zonat e larta në Derna gjithashtu mbijetuan”, shtoi ai.

“Unë banoj në një shtëpi dykatëshe në një zonë relativisht të ulët”, tha Boudhahab, duke vënë në dukje se “shumica e shtëpive në lagjen time ishin shtëpi njëkatëshe”.

“Ujërat e përmbytjeve ishin më të larta se aq”, tregon Boudhahab.

– “U trondita kur pashë trupat e fqinjëve të mi”

“Besoj se mbijetova nga hiri i Zotit dhe mjeshtëria ime në arkitekturë”, tha Boudhahab për Anadolu.

“U zgjova nga zhurma e një shpërthimi të madh dhe e kuptova menjëherë se diga e Dernas kishte shpërthyer sepse shiu ishte i madh dhe ne kemi dëgjuar histori të ngjashme në lidhje me atë digë”, vazhdon ai.

“Çaste më vonë, uji po vërshonte shtëpinë time, ku kam qëndruar vetëm prej javësh. Fëmijët e mi janë me nënën e tyre, e cila u zhvendos për të jetuar me familjen e saj në qytetin e Sirtes. Ata do të kishin vdekur në një situatë ndryshe”, theksoi Boudhahab.

Ai rrëfen se kur shtëpia e tij u përmbyt, është ngjitur në kulm dhe është fshehur brenda një rezervuari uji prej betoni që kishte ndërtuar vite më parë për të mbledhur ujin e shirave.

Boudhehab ka qëndruar në rezervuarin e ujit pasi e ka mbyllur fort, derisa uji është tërhequr në mëngjes.

“Isha i tronditur kur pashë trupat e fqinjëve të mi dhe shkatërrimin që ndodhi”, thotë ai, duke shtuar: “Kisha ndjenja shumë të përziera, isha i lumtur për mbijetesën time, por thellësisht i pikëlluar nga vdekja dhe shkatërrimi rreth meje”.

– Fatkeqësi e papritur

Qyteti lindor i Libisë, Derna, u godit më rëndë nga përmbytjet shkatërruese të shkaktuara nga stuhia “Daniel”, duke lënë mijëra njerëz të vdekur.

Tragjedinë në Derna e rëndoi edhe shembja e dy digave, duke tërhequr zvarrë drejt detit pjesë të mëdha të qytetit bregdetar.

Adel Al-Shafi’i, një tjetër i mbijetuar në Derna, tha: “Nuk e prisnim këtë nivel shkatërrimi”.

“Të gjithë treguesit thonin se qyteti i Bengazit do të goditej më rëndë nga stuhia”, shtoi ai.

“Paralajmërimet ishin të kufizuara për Bengazin, ku u formuan ekipet e shpëtimit, u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe u vendos një shtetrrethim në qytet”, shpjegon Al-Shafi’i.

“Prandaj, ne nuk na interesonte shumë për Dernan. Jo vetëm kaq, por në orën 12:00 të natës thirra vëllain tim që jeton në Bengazi dhe i kërkova të vinte në Derna pasi është më e sigurt. Por ai nuk ia doli dot për shkak të shtetrrethimit”, rrëfen Al-Shafi’i.

“Megjithatë, gjërat morën një kthesë të çuditshme pasi Bengazi ishte më i sigurt sepse stuhia e anashkaloi atë për t’u zhvendosur në pjesën tjetër të qyteteve në lindje”, tha Al-Shafi’i.

– “Një fatkeqësi e paparë më parë”

Al-Shafi’i tregoi detajet e momenteve të para të asaj që ndodhi në Derna, duke thënë: “Diga e parë shpërtheu, pastaj e dyta dhe lugina e Dernas u përmbyt me një forcë që nuk e kemi parë kurrë më parë, duke fshirë gjithçka rrugës”.

“Në vetëm pak çaste, uji përpiu të tëra ndërtesa banimi gjashtëkatëshe”, shtoi ai.

“Për fat të mirë, për familjen time dhe mua, ne jetojmë në një zonë të lartë që ishte më pak e prekur nga ujërat e përmbytjeve”, tha Al-Shafi’i për Anadolu.

Al-Shafi’i, i cili nuk u largua nga Derna, tha se situata në qytet tri ditë pas përmbytjeve “është ende katastrofike”.

“Forcat e sigurisë evakuuan qytetin sepse turma pengonte operacionet e shpëtimit dhe gjetjen e trupave, veçanërisht në det, ku ndërtesa të tëra u rrëmbyen me të gjithë banorët e tyre”, tha Al-Shafi’i.

Related posts

Bota arabe dhe islame duhet të bashkohet kundër Iz’raelit, kërkon zyrtari i lartë i Ha’masit

RTI

Kinë, 8 të vdekur nga zjarri në dy rrokaqiej

admin

Pas tensioneve në veri, Stoltenberg flet me Kurtin: Të gjithë duhet ta ruajnë qetësinë dhe të shmangen veprimet e njëanshme

admin