RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Përmbytjet në Libi: Qyteti i shkatërruar Derna i ngjan një fushëbeteje

permbytjet-ne-libi:-qyteti-i-shkaterruar-derna-i-ngjan-nje-fushebeteje

Fatkeqësia e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia “Daniel” më 10 shtator në Libi, preku më së shumti Dernan ndër qytetet në lindje të vendit, raporton Anadolu.

I rrethuar nga Mesdheu në veri dhe kodrat Xhebel el-Ahdar (Mali i Gjelbër) në jug, me një luginë që kalon nga mesi, dëmi që Derna pësoi nga përmbytjet është shumë më i lartë se në qytetet e tjera.

Lugina që ndan Dernan në dysh u mbush me ujërat e shiut të shkaktuar nga stuhia “Daniel” dhe niveli i ujit u rrit në mënyrë të paprecedentë.

Rrjedhimisht, u krijua presion i jashtëzakonshëm në dy digat kryesore që mbajnë ujin në luginë dhe ujërat e përmbytjeve shkaktuan shembjen e digave.

Ndërsa shtëpitë dhe automjetet u kthyen në rrënoja pas shembjes së digave, mijëra njerëz humbën jetën. Një e katërta e qytetit me 100 mijë banorë u fshi nga harta, ndërkaq, tokat bujqësore mbetën nën ujë.

Tërheqja e ujit zbuloi përmasat e shkatërrimit që ndodhi. Rrugët e qytetit janë kthyer në një det balte dhe varrezë makinash, ndërsa deti është mbushur me kufoma njerëzish.

– Derna është shndërruar në një qytet fantazmë

Me largimin e shumicës së të mbijetuarve, Derna është shndërruar në një qytet fantazmë. Për shkak të temperaturës relativisht të lartë, kufomat që ende ndodhen nën rrënoja kanë filluar të kundërmojnë.

Në qytet, ku pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit për shkak të fatkeqësisë, ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të nxjerrin trupat me gjithë vështirësitë.

Sipas deklaratave të zyrtarëve libianë, numri i vdekjeve vetëm në Derna ishte 5.300 deri më 12 shtator.

Ndërsa Kryqi i Kuq ka raportuar se numri i të zhdukurve në fatkeqësinë e përmbytjeve në Libi ka arritur në 10 mijë, llogaritet se numri total i të vdekurve ose të zhdukurve do të arrijë në 20 mijë.

– 30 mijë persona të zhvendosur nga Derna

Përfaqësia e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) pranë Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi, në raportin e saj për katastrofën e përmbytjeve, deklaroi se numri i personave të zhvendosur në Derna vlerësohet të jetë 30 mijë, por se ky numër është “ndoshta më i lartë”.

Në raport vihet re se zonat bregdetare në Derna ishin më të prekura nga fatkeqësia dhe, sipas përcaktimeve fillestare, 2.217 ndërtesa janë ekspozuar ndaj ujërave të përmbytjeve.

Ndryshe, shirat e rrëmbyeshëm nga stuhia “Daniel” përfshinë disa zona të dielën në Libinë lindore, veçanërisht qytetet Bengazi, Al-Bayda dhe Al-Marj, Susa dhe Derna.

Thuhet se sasia e reshjeve në rajonet lindore të Libisë ishte në “nivelin më të lartë në 40 vjet”.

Related posts

Marrëveshja u arrit, por sa do të duhet që të dalë i gjithë gruri nga portet e Ukrainës?

admin

“Më thanë se është e rrezikshme”- Ankohet presidenti Biden: Shërbimi Sekret nuk me lejon të dal në turmat e njerëzve

admin

Kurti uron Erdoganin: Mezi pres ta thellojmë bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë

rezart morina