RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Përplasjet në Akademi kulmojnë me nismën për shkarkimin e kryetarit

perplasjet-ne-akademi-kulmojne-me-nismen-per-shkarkimin-e-kryetarit

Për më shumë se katër dekada të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kjo është hera e parë që iniciohen procedura për shkarkimin e kryetarit (Foto: Driton Paçarada KOHA)

Janë dhjetë anëtarë, të cilët të martën kanë protokolluar kërkesën për mbledhjen e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si hap i parë për shkarkimin e akademik Mehmet Krajës nga pozita e kryetarit. Telashet me përplasje midis akademikëve kanë nisur më herët, por publikisht u shpërfaqen në dhjetor të vitit të kaluar
Përplasjet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kanë hyrë në një tjetër “episod”. Një grup akademikësh e anëtarë me korrespodencë në këtë institucion zyrtarisht kanë nisur procesin për shkarkimin e kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja. Janë dhjetë anëtarë, të cilët të martën kanë protokolluar kërkesën për mbledhjen e Kryesisë së institucionit, si hap i parë për shkarkimin nga pozita udhëheqëse të akademik Mehmet Krajës. Për më shumë se katër dekada të institucionit, kjo është hera e parë që iniciohen procedura për shkarkimin e kryetarit.

Telashet me përplasje midis akademikëve kanë nisur më herët, por publikisht u shpërfaqen në dhjetor të vitit të kaluar, kur Seksioni i Shkencave Shoqërore reagoi ndaj shkrimit të kryetarit Mehmet Kraja, “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, që ishte botuar në ueb-faqen e ASHAK-ut. Në ditën e 23-të të dhjetorit, Seksioni reagoi kundër Krajës me pretendimet se “me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”.

Kryetari i institucionit më të lartë shkencor, akademik Mehmet Kraja, kishte thënë se merr përgjegjësinë për shkrimin e publikuar.

Janë dhjetë anëtarë të rregullt e korrespodentë që kanë nënshkruar kërkesën për mbledhjen e Kryesisë së Akademisë. Në këtë mbledhje do t’i kërkojnë akademik Krajës që të japë përgjegjësi para Kryesisë.

“Duhet të mblidhet Kryesia. Kryesia e thërret mbledhjen e jashtëzakonshme”, ka thënë për KOHËN një prej anëtarëve të institucionit. Ky burim ka treguar se në atë mbledhje do t’i kërkojnë përgjegjësi kryetarit Kraja e midis të tjerash do t’i kërkojnë edhe dorëheqjen.

“Nëse nuk mban përgjegjësi dhe nuk dorëhiqet, do të thërrasim mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Akademisë”, ka thënë ky burim. Sipas Statutit të Akademisë, “seancën e jashtëzakonshme e thërret Kryesia sipas nevojës së paku 8 ditë para mbajtjes së saj ose kur këtë e kërkojnë së paku dy seksione ose 10 anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë të Akademisë”.

“Mundësia e parë është që kryetari të japë dorëheqje në mbledhje të Kryesisë dhe nënkryetari i merr detyrat. Ose të thirret mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit dhe të votohet rivlerësimi i kryetarit”, ka thënë burimi.

Nisjen e procedurës për shkarkimin e Krajës, të enjten vonë e ka konfirmuar akademik Muhamedin Kullashi.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Seksionit të Shkencave Shoqërore, kemi nisur procedurën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm me një pikë të rendit të ditës: kërkesën për shkarkimin e kryetarit Kraja. Kjo mbledhje duhet të mbahet në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë akademik Kullashi.

KOHA ka marrë vesh se një pjesë e akademikëve kanë vërejtje “në sjelljet arbitrare” të Krajës dhe, sipas tyre, kjo ka ndikuar që të krijohen ndasi midis akademikëve.

“Pozita e kryetarit duhet t’i bashkojë të gjithë. Tash kjo pozitë i ka ndarë njerëzit. Procesverbali që e ka publikuar kryetari nuk është i vërtetë. Ai me dorë të vet e ka nënshkruar vendimin që procesverbali nuk guxon të publikohet pa vendimin e Kryesisë, dhe e ka publikuar. Tekstin e ka publikuar krye më vete dhe paramendoni sikur secili akademik të publikojë çka të dojë në ueb-faqen e institucionit”, ka thënë ky burim.

KOHA të martën vonë ka provuar të marrë një deklaratë nga kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja. Por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.

Në dhjetor kryetari Mehmet Kraja kishte botuar tekstin “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Përmbajtja kishte nxitur reagim në publik. Shkrimi ishte paraqitur si “analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ua tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi…”.

Dokumenti përmban akuza e qëndrime për personalitete politike të Kosovës e për vende si Shqipëria, dhe jep interpretime për një numër ngjarjesh historike.

Në reagimin e Seksionit të Shkencave Shoqërore shkruhej se ky seksion e ka kundërshtuar që në fillim publikimin e tekstit në emër të Akademisë. Kishin akuzuar Krajën për sjellje imponuese e arbitrare dhe në reagim ka theksuar se kundërshtimi i tij shihet nga procesverbali i mbledhjes së datës 26 janar 2022.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen kryetarit të ASHAK-ut, z. Mehmet Kraja, për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, shkruhet në reagim. Ishte kërkuar “reflektim institucional e moral” nga akademik Kraja. Aty edhe ishin paralajmëruar hapa të tjerë statutorë.

Po atë ditë akademik Kraja në llogarinë e tij në Facebook kishte thënë se më 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë ishte diskutuar teksti dhe se ka marrë mbështetje. Ai i kishte publikuar ato që ka thënë se ishin qëndrimet e anëtarëve të Kryesisë.

“1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime; 2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë; 3. Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj; 4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë; 7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj”, kishte shkruar Kraja.

Sipas kryeakademikut, teksti i analizës u është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve. Nga 38 anëtarët, sipas tij, përgjigje me shkrim kanë ofruar vetëm dy anëtarë, Isa Mustafa dhe Arsim Bajrami. Por pa kaluar një orë sekretari shkencor i ASHAK-ut, Luan Mulliqi, i kishte mohuar pretendimet e Krajës.

“Nuk është e vërtetë që ai tekst ka marrë miratimin e Kryesisë për t’u publikuar. Përkundrazi, është kundërshtuar. Është e vërtetë që sjelljet e Krajës janë imponuese dhe arbitrare, me theks të veçantë të arrogancës”, kishte thënë Mulliqi për KOHËN.

Kraja ka pranuar se në ueb-faqen e Akademisë “mund të jetë shfaqur versioni i paredaktuar i tekstit”. Për këtë kishte thënë se mund të jetë bërë për ndonjë arsye teknike dhe ka theksuar se tani në ueb-faqe është versioni i autorizuar. Ai kishte thënë se merr përgjegjësinë për shkrimin.

Akademik Kraja është anëtar i ASHAK-ut nga viti 2005. Në periudhën 2008-2014 ishte sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë, kurse nga viti 2019 është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Related posts

Lista/ Dhjetëra automjete, banesa luksoze dhe biznese, zbulohen pasuritë që iu sekuestruan Milan Radoiçiç

admin

Dhjetëra protestues në samitin COP28 bëjnë thirrje për armëpushim në Gazë

admin

Presidenti kinez: Kina e gatshme për mbështetje reciproke me Rusinë për interesat thelbësore

admin