Policia e Kosovës ka konfirmuar bastisjen që po zhvillon në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë.
Këtë ka konfirmuar për teve1.info zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, theksoi ai.
Siç raportohet në media, arsyeja e kësaj kontrolle ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Teve1.info ka tentuar të kontaktojë me drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve.
Ndërsa zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka thënë për teve1.info se ende nuk ka informacion për çështjen në fjalë, porse do të prononcohet sapo ta ketë.