RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Plani Trump-Netanyahu për të shkatërruar Gjykatën e Hagës

plani-trump-netanyahu-per-te-shkaterruar-gjykaten-e-hages

Rreziku i kapitullimit të rendit juridik botëror përpara shantazhit gjeopolitik

Në një botë që po rrëshqet drejt autokracisë dhe zhbërjes së normave shumëpalëshe, aleanca midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, përfaqëson goditjen më vdekjeprurëse ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpërbërë Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) nuk është thjesht një retorikë elektorale, por një politikë zyrtare dhe e frikshme e Uashingtonit për të mbrojtur të pushtetshmit nga llogaridhënia për krimet më të rënda njerëzore.

Ky sulm frontal mori përmasa ekzistenciale kur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi hapur synimin për ta shkatërruar këtë gjykatë “tullë pas tulle”.

Siç vëren The Guardian, ky projekt shënon një krizë ekzistenciale jo vetëm për vetë institucionin, por për vetë idenë e drejtësisë universale, duke bërë që kombi më i fuqishëm në tokë të rreshtohet krah diktatorëve për të parandaluar që të akuzuarit për gjenocid dhe krime lufte të përballen me ligjin.

Sipas një analize të publikuar nga Deutsche Welle, presioni diplomatik i SHBA-së është shndërruar në një fushatë strategjike që synon të bëjë bashkë edhe shtete jo-anëtare për të koordinuar sulmin.

Ekspertët ligjorë të cituar nga Deutsche Welle paralajmërojnë për një “efekt ftohës” (chilling effect), ku prokurorët e gjykatës mund të detyrohen të tërhiqen përpara hetimeve që përfshijnë zyrtarë amerikanë apo aleatë të tyre, nga frika e ndëshkimeve ekonomike dhe izolimit teknologjik.

Madje Uashingtoni ka paralajmëruar sanksione ndaj atyre vendeve aleate që gëzojnë mbrojtjen amerikane por refuzojnë të mohojnë autoritetin e Hagës. Kjo shantazhon direkt shtetet evropiane, si Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, që janë donatoret kryesore të gjykatës.

Në këtë skenar ogurzi, përfituesi më i madh dhe i drejtpërdrejtë i këtij sabotazhi është Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e tjerë të lartë izraelitë. Për ta, ky plan është një gomone shpëtimi që u mundëson t’i ikin arrestimit dhe ndëshkimit ligjor për krimet mizore të luftës të kryera në Gaza dhe jo vetëm.

Duke shkatërruar GJNP-në, Trump i jep Tel Avivit një leje të përhershme për të vazhduar me brutalitetin pa pasur kurrë frikë nga ndonjë sanksion penal. Nga ana tjetër, vetë Trumpi e sheh gjykatën si një kërcënim personal.

Siç nënvizon The Guardian, ish-kryeprokurori Luis Moreno Ocampo ka deklaruar se Trump e di mirë që mund të jetë një shënjestër e ligjit ndërkombëtar pasi të lërë detyrën, për shkak të urdhrave të tij ushtarakë radikalë në Karaibe apo Iran.

Ironia dëshmon oportunizmin e skajshëm të Uashingtonit. Deutsche Welle kujton se në vitin 2022, vetë Marco Rubio mbështeste hetimet e GJNP-së ndaj Vladimir Putinit për krimet ruse në Ukrainë. Mirëpo, parimi i llogaridhënies vlen vetëm për armiqtë.

Nëse vendet evropiane kapitullojnë përpara shantazhit Trump-Netanyahu, mesazhi do të jetë i qartë: nëse je i fuqishëm, asnjë krim nuk do të të dënojë. Kjo nuk duhet lejuar. tesheshi

Related posts

Zjarri shkatërron shtëpi dhe shkolla në provincën Kalimantan të Indonezisë

Muhamet Ramadani

Presidenti kinez takohet me kryeministrin e Pakistanit, Islamabadi ndjek diplomacinë mbi konfliktin me Iranin

RTI

Hezbollahu kryen sulme me raketa ndaj bazave ushtarake izraelite në Galile

Hevzi