Mbipopullimi ekstrem e kthen përvojën më shumë në një makth sesa në kënaqësi
Plazhi Dameisha, në Shenzhen të Kinës, është vetëm 1.8 kilometra i gjatë, por në ditët më të ngarkuara mund të presë deri në rreth 200 mijë pushues njëherësh.
Kjo e ka bërë atë, me diferencë, një nga plazhet më të mbipopulluara në botë. I famshëm, ose më saktë famëkeq, për numrin e jashtëzakonshëm të vizitorëve, Dameisha është një destinacion veçanërisht i frekuentuar gjatë muajve të verës.
Në fundjavë, brezi i ngushtë i rërës shndërrohet në një det njerëzish, aq sa autoritetet lokale janë detyruar të vendosin kufizime për numrin e pushuesve që mund të hyjnë.
Për të kuptuar se sa ekstrem mund të jetë mbipopullimi, mjafton të lexosh komentet e vizitorëve në platformat e udhëtimeve.
Disa prej tyre janë ankuar se nuk kanë mundur as të arrijnë deri te uji, pasi plazhi ka qenë aq i mbushur me njerëz sa lëvizja është bërë pothuajse e pamundur.
Dameisha është një plazh publik dhe, në parim, mund të përdoret nga kushdo. Megjithatë, vitet e fundit autoritetet e Shenzhenit kanë vendosur të kufizojnë numrin e vizitorëve gjatë periudhës nga maji deri në tetor.
Aktualisht, deri në 80 mijë persona mund të lejohen të hyjnë në ditë, ndërsa vizitorët duhet të bëjnë rezervim paraprak përpara se të shkojnë në plazh.
Edhe shifra prej 80 mijë njerëzish duket e jashtëzakonshme për një plazh vetëm 1.8 kilometra të gjatë. Por në raste të veçanta, Dameisha ka pritur deri në 200 mijë persona njëherësh.
Në kushte të tilla, të gjesh hapësirë për t’u shtrirë, për të lëvizur lirshëm apo për të hyrë në det bëhet një sfidë më vete.
Ironikisht, një nga faktorët që kontribuon në popullaritetin dhe mbipopullimin e plazhit është pikërisht transporti publik.
Ka disa linja autobusësh që të çojnë drejt tij dhe, mbi të gjitha, një stacion metroje ndodhet fare pranë plazhit. Fakti që hyrja është falas e bën Dameishën edhe më tërheqës për banorët vendas dhe turistët.
Pavarësisht vlerësimeve negative dhe ankesave të shumta në internet, plazhi vazhdon të jetë jashtëzakonisht popullor gjatë verës. Pamjet e mijëra e mijëra njerëzve të mbledhur në një hapësirë kaq të vogël qarkullojnë rregullisht në rrjetet sociale dhe shpesh bëhen virale.
Në vend të një dite të qetë buzë detit, një vizitë në Dameisha mund të kthehet kështu në një eksperiencë krejt tjetër: një betejë për të gjetur pak hapësirë, për të arritur te uji dhe, mbi të gjitha, për të mos humbur mes turmës.
Një plazh ku, në ditët më të ngarkuara, duket se vërtet nuk ke ku të hedhësh as kokrrën e mollës. tesheshi

