RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

6 persona të vdekur, 1 në gjendje kritike pas të shtënave në Michigan

6-persona-te-vdekur,-1-ne-gjendje-kritike-pas-te-shtenave-ne-michigan

Gjashtë persona, përfshirë i dyshuari për sulmin, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë në një incident me armë zjarri në qarkun Missaukee të shtetit amerikan Michigan, transmeton Anadolu.

Policia e Shtetit të Michiganit njoftoi se efektivët iu përgjigjën një banese në Lake Township, rreth orës 11:40 me kohwn lokale, pas një raportimi për të shtëna me armë. Në vendngjarje gjetën tre persona të vdekur dhe një tjetër në gjendje kritike, i cili u dërgua në një spital aty pranë.

Policia e identifikoi të dyshuarin si 39-vjeçarin Chad Hickman, i cili ishte larguar nga vendi para mbërritjes së efektivëve, duke nxitur një operacion të gjerë kërkimi ku u përfshinë njësitë emergjente, ajrore dhe ato me qen të policisë.

Hetuesit më vonë gjetën një viktimë të katërt në një banesë tjetër dhe zbuluan automjetin e Hickman pranë një zone të pyllëzuar në afërsi të liqenit Whitlock. Hickman dhe një person tjetër u gjetën më pas të vdekur në atë zonë.

“Nuk ka asnjë kërcënim për publikun”, tha nënkolonelja Ashley Miller, zyrtare për informimin publik në MSP, duke shtuar se autoritetet do të vazhdojnë patrullimin në komunitet ndërsa përpunojnë vendngjarjet e shumta.

“Jo vetëm që kjo është e vështirë për hetuesit dhe efektivët tanë, por është shumë e rëndë edhe për këtë komunitet. E dini, kjo lloj humbjeje është tragjike. Ne do të kryejmë një hetim të plotë dhe duam të sigurohemi që anëtarët e komunitetit të jenë të informuar për situatën aktuale dhe për atë që po zbulojmë gjatë këtij procesi”, tha Miller.

Policia u kërkoi banorëve të shmangin tre lokacionet ndërsa hetuesit vazhdojnë punën në vendngjarje.

Rrethanat e incidentit dhe motivi mbeten nën hetim.

Related posts

Ndahet nga jeta gjenerali i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

admin

Arrestohen disa gazetarë nga forcat izraelite në spitalin Al-Shifa në Gaza

admin

Në su’lmet iz’raelite në Ga’za u vr’anë 885 punonjës të shëndetësisë dhe 289 punonjës të ndihmës humanitare

admin