Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, ka thënë se angazhimi i Policisë së Kosovës, si dhe vendosja e stikerave në xhama të automjeteve ka ulur dukshëm numrin e automjeteve të paregjistruara në Kosovë.
Mazreku tregon se momentalisht Kosova ka numrin më të ulët të automjeteve të paregjistruara që nga përfundimi i luftës e deri më tash.
“Angazhimi jonë i madh tashmë po jep rezultate konkrete, numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë ka rënë dukshëm,” ka thënë Mazreku.
Sipas tij, angazhimi i madh për ta sjellë Kosovën në këtë pozitë ka qenë hap i domosdoshëm për krijimin e mundësive që Kosova të jetë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër.