Policia ka njoftuar se janë gjetur mbetjet mortore të gjashtë personave në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, të cilët dyshohet të jenë nga lufta e fundit.
Gërmimet thuhet që kanë vazhduar që nga data 9 e këtij muaji ku janë gjetur eshtrat e 3 prej tyre, ndërsa më datën 20,21, 24 nëntor janë gjetur edhe tri mbetje.
“Gjatë gërmimeve-kërkimeve, janë hasë disa mbetje mortore (gjetje eshtërore) që dyshohet të jenë të disa personave nga lufta e fundit. Më datë, 09 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të 6 (gjashtë) personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftim nga policia.
Tutje bëhet e ditur se hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera. Me këtë rast, ftohen edhe një herë gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.