Policia izraelite dëboi me forcë familjen palestineze Sub Leben nga shtëpia e tyre në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar, pranë xhamisë Al-Aksa, raporton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga familja Sub Leben, policia izraelite ka bastisur shtëpinë me një njësi të madhe në mëngjes.
Pas bastisjes, kur nëna Nura ishte në spital dhe në shtëpi ndodheshin vetëm babai dhe disa aktivistë, policia izraelite vendosi barriera sigurie në rrugën ku ndodhet shtëpia dhe në shumë pika tjera.
Policia izraelite i kërkoi familjes që të largonte sendet nga shtëpia ku ata jetonin që nga viti 1953.
Dëbimi i familjes nga Kudsi
Familja Sub Leben, shtëpia e së cilës ndodhet në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor, shumë afër Mesxhid al-Aksa, është një nga gjashtë familjet palestineze në Kudsin Lindor që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga organizatat e kolonëve hebrenj.
Familja nga Kudsi kishte humbur luftën e saj ligjore 45-vjeçare kundër qeverisë izraelite dhe kundër përpjekjeve të organizatave të kolonëve hebrenj. Gjyqësori izraelit pranoi kërkesën e organizatës së kolonëve hebrenj mbi pronën dhe i dha afat familjes palestineze deri më 11 qershor për ta liruar shtëpinë.
Autoritetet izraelite kishin informuar familjen se urdhri i dëbimit do të zbatohej së shpejti.
Kudsi Lindor është nën pushtimin e organizatave të kolonëve
Rastet e evakuimit për të zgjeruar vendbanimet ilegale hebreje në qendër të lagjeve palestineze bazohen në ligjet izraelite që privilegjojnë hebrenjtë.
Çështjet e dëbimit kundër familjes Sub Leben dhe familjeve të tjera palestineze në situata të ngjashme janë ngritur nga grupet e kolonëve në bazë të Ligjit të Izraelit të vitit 1970 për Çështjet Ligjore dhe Administrative.
Shumica e palestinezëve që përballen me dëbimin janë refugjatë palestinezë që humbën shtëpitë e tyre në anën izraelite në vitin 1948 dhe tani janë gati të zhvendosen për herë të dytë apo edhe të tretë.
Organizatat e vendbanimeve, me mbështetjen e institucioneve shtetërore izraelite dhe organizatave ndërkombëtare sioniste, po përpiqen të marrin të drejtat pronësore të këtyre shtëpive në mënyra të ndryshme, edhe pse ato nuk kanë asnjë lidhje me ish-pronarët e supozuar të hebrenjve apo banorëve.
Njësia e Gardës së Përgjithshme nën Ministrinë e Drejtësisë izraelite ofron gjithashtu platformën ligjore për organizatat e kolonëve që të nisin procedurat e dëbimit kundër familjeve palestineze përmes ligjit të vitit 1970 dhe t’i “marrë përsëri” këto prona nga palestinezët.