Dy vetura private me targa RKS, të cilat ishin në pronësinë e dy qytetarëve serbë, janë djegur të mërkurën mbrëma në Zubin Potok.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është raportuar mëngjesin e së enjtes dhe sipas ankuesve, veturat ishin regjistruar rreth një javë më përpara.
Po ashtu, bëhet e ditur se palët ankuese kanë raportuar se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit.
“Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas policisë, lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore si dhe është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla, shtimin e patrullimeve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, përfundon njoftimi.
Ndryshe, lidhur me rastin ka reaguar edhe Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, i cili ka thënë se djegia e këtyre dy veturave është bërë nga strukturat ilegale të Serbisë.
“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve vendas në Zubin Potok. Mbrëmë dy vetura në pronësi të serbëve të Kosovës janë djegur me sa duket vetëm për shkak se kishin targa të veturës RKS”, ka shkruar Vela në Twitter.
Ai ka shtuar se sipas marrëveshjes së Brukselit, targat RKS janë të vetmet targa të veturave legale në të gjithë Kosovën./