Policia e Kosovës ka njoftuar se ditën e hënë ka konfiskuar substanca narkotike në disa qytete.
Lidhur me rastet Policia ka arrestuar personat e dyshimtë të cilët janë dërguar në mbajtje.
Rastet e konfiskimit të drogës kanë ndodhur në Prishtinë, Istog, Mitrovicë dhe Gjakovë, transmeton Telegrafi.
Në Prishtinë, Policia njofton se ka konfiskuar substanca narkoktike të llojit kokainë.
“Rr. Vatra, Prishtinë 14.08.2023-17:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe objektet përcjellëse janë gjetur dhe konfiskuar në disa qese plastike gjithësej 12.5 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një peshore digjitale, një bllok për shënime, një DVR, dhe dy kamera. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Kurse, në Istog, Policia thekson se substancat narkotike janë gjetur gjatë kontrollës së një veture.
“Rr. Hysen Bujupi, Istog 14.08.2023 – 00:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij i janë gjetur dhe konfiskuar 1.2 gram substancë narkotike e llojit Marihuanë dhe një brisk. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Në Gjakovë, po ashtu policia bën të ditur se substancat narkotike janë gjetur në veturën e një shtetasi të Gjermanisë.
“Rr. Nënë Tereza, Gjakovë 14.08.2023 – 02:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Gjermanisë, pasi që gjatë kontrollit të veturës i është gjetur dhe konfiskuar 8.71 gram substancë narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Ndërsa në Mitrovicë, Policia ka konfiskuar substanca të llojit marihuanë.
“Rr. Muhaxhirëve, Mitrovicë 14.08.2023-23:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.7 gram. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Brenda 24 orëve të fundit, Policia ka raportuar edhe për disa raste të dhunës në familje e po ashtu edhe për disa raste të gjuajtjeve me armë zjarri.