Policia spanjolle njoftoi sot se ka shkatërruar një organizatë kriminale e cila nën maskën se po shpërndante ndihma humanitare në Ukrainë, shiste kanabis në gjithë Evropën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia arrestoi 30 persona nga Ukraina, Gjermania, Spanja dhe Maroku në rajonin spanjoll të Andaluzisë.
“Ata fshihnin substanca narkotike në kuti kartoni, duke maskuar drogën si furnizime dhe ndihma humanitare të destinuara për Ukrainë”, thuhet në deklaratën e policisë.
“Këto kuti u transportuan me furgona që pretendonin se ishin pjesë e një autokolone ndihmash, në mënyrë që policia dhe kontrollet kufitare të mos i vinin re.
Por brenda Spanjës, policia kapi një “grup shtetasish ukrainas” që grumbullonin sasi të mëdha kanabisi në Andaluzi dhe e shisnin atë në të gjithë Evropën.
Pas hetimeve të mëtejshme, policia arrestoi katër persona që lëviznin me furgona me licencë në Ukrainë dhe mbanin 109 kilogramë kanabis.
Nga aty, policia kreu arrestime të tjera dhe bastisje në disa lokacione.
Në total, autoritetet gjetën 2.500 rrënjë kanabisi, gjashtë armë dhe 800 mijë euro në para.
Të arrestuarit përballen me akuza të trafikimit të drogës, posedim armësh pa leje dhe anëtarësim në një organizatë kriminale.
Dy të dyshuar gjithashtu tentuan të ikin gjatë arrestimit të tyre, madje duke përplasur një automjet policie me veturën e tyre, me ç’rast i shkaktuan lëndime të lehta dy policëve. Ata do të përballen edhe me akuzën për sulm ndaj policisë.