RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Polonia dëshiron të formojë “ushtrinë më të fortë në Evropë”

polonia-deshiron-te-formoje-“ushtrine-me-te-forte-ne-evrope”

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki deklaroi se dëshirojnë të bashkëpunojnë me industrinë e mbrojtjes amerikane për të formuar ushtrinë më të fortë në Evropë, transmeton Anadolu.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris mbajti një konferencë të përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin polak Morawiecki i cili ndodhet për vizitë në Washington për takime zyrtare.

Pasi foli për rëndësinë e Polonisë në aspektin e luftës Rusi-Ukrainë për mbështetjen e Ukrainës, pritjen e refugjatëve ukrainas dhe mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s, Harris më tej tha se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Polonisë janë të forta.

“Polonia është një aleat, partner dhe mik i vlefshëm. (Me Poloninë) Kemi një marrëdhënie të qëndrueshme që bazohet në përparësi dhe vlera të përbashkëta”, deklaroi Harris.

“Polonia dëshiron të jetë gurthemeli i sigurisë evropiane”

Kryeministri polak Morawiecki tha se Varshava dhe Washingtoni janë dy polet e qytetërimit të Perëndimit dhe ndau mendimin e tij se duhet të punojnë së bashku në shumë rajone të botës.

Duke folur për rëndësinë e mbështetjes së dhënë ndaj Ukrainës, Morawiecki vuri në dukje rritjen e inflacionit dhe të çmimeve si në SHBA ashtu edhe në vendin e tij për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ringjallja e imperializmit rus është lajmëtar i një Lufte të re të Ftohtë”, tha Morawiecki duke shtuar se mosmbështetja e Ukrainës mund të shkaktojë rrezikun e një konflikti global.

Ai shtoi se vendi i tij dëshiron të jetë gurthemeli i sigurisë evropiane. Pasi potencoi rritjen e shpenzimeve të Polonisë për mbrojtjen, Morawiecki deklaroi “Polonia dëshiron të formojë ushtrinë më të fortë në Evropë. Për këtë arsye duam të bashkëpunojmë me industrinë amerikane e cila është industria e mbrojtjes më e zhvilluar në botë”.

Morawiecki foli për rëndësinë e një aleance të fuqishme transatlantike. Ai tha se ka besim që lufta në Ukrainë nuk është vetëm fillimi i fundit të imperializmit rus por që është edhe fillim i “Rilindjes Transatlantike”.

Harris dhe Morawiecki në takimet e tyre dypalëshe krahas bashkëpunimit ushtarak do të diskutojnë edhe për energjinë, ekonominë dhe marrëdhëniet politike.

Related posts

Meloni: Qeveria e re do të mbështesë Ukrainën

admin

Natasha Pirc Musar merr detyrën si presidente e Sllovenisë

admin

Letra anonime kundër xhamive në Gjermani

rezart morina