Perspektiva e transferimit të mercenarëve nga grupi rus Wagner në Bjellorusi si pjesë e marrëveshjes së arritur për t’i dhënë fund kryengritjes së tyre, e ka bërë Poloninë tepër të kujdesshme ndaj fqinjit të saj, raporton BBC.
Një kufi i shënuar dikur nga disa shtylla prej druri, tashmë është transformuar në rrethoja të larta metalike, kamera termike e drita të forta.
Ato u instaluan pasi Bjellorusia filloi të inkurajonte mijëra emigrantë të kalonin në Poloni dy vjet më parë në atë që Varshava e quan akt të luftës hibride. Minsku dhe Moska janë aleatë të ngushtë.
Përpara samitit të NATO-s të kësaj jave në Lituani, qeveria polake ka paralajmëruar se forcat Wagner mund të përdoren për të shkaktuar më shumë telashe, kështu që po vendos qindra oficerë shtesë në kufirin e saj lindor si përforcime.
“Kërcënimi më i madh është se fqinji ynë, Bjellorusia, është plotësisht i paparashikueshëm”, ka shpjeguar Michal Bura i rojës kufitare lokale, “megjithëse gjithçka është e qetë teksa po flasim – përveç tufave të insekteve të egra të verës në fushat e grurit”.
“Duhet të jemi gati për çdo zhvillim. Ndoshta Wagneri do të shkaktojë probleme, por askush nuk e di pse ata po shkojnë atje ose për çfarë po përgatiten”.
Kanë kaluar më shumë se dy javë që kur Yevgeny Prigozhin dhe banda e tij mercenarësh hynë pa pengesa në qytetin jugor rus të Rostovit, duke dërguar një grup të dytë të armatosur që marshonte drejt Moskës, por fati i kryengritësve ende nuk dihet. /koha