RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Polonia nënshkruan marrëveshje me Korenë e Jugut për prodhimin e raketave me rreze të mesme

polonia-nenshkruan-marreveshje-me-korene-e-jugut-per-prodhimin-e-raketave-me-rreze-te-mesme

Polonia ka nënshkruar një marrëveshje në fushën e mbrojtjes prej 3.3 miliardë eurosh me Korenë e Jugut për të prodhuar së bashku raketa me rreze të mesme, transmeton Anadolu.

Kontrata u nënshkrua të hënën nga Agjencia e Armatimit të Polonisë dhe një konsorcium i Hanwha të Koresë së Jugut dhe WB Group të Polonisë, raportoi TVP World. Ajo mbulon prodhimin e përbashkët të më shumë se 10 mijë raketave me rreze të mesme CGR-080 për sistemet e lëshimit të raketave Homar-K të Polonisë, thanë zyrtarët.

Sipas marrëveshjes, një strukturë e përbashkët prodhimi polako-koreano-jugore do të ngrihet në qytetin veriperëndimor të Gorzow Wielkopolski. Dërgesat e raketave janë planifikuar të bëhen midis viteve 2030 dhe 2033.

Municionet do të integrohen në sistemin e lëshimit Homar-K, një version i adaptuar në Poloni i platformës së lëshimit të raketave të shumëfishta K239 Chunmoo të Koresë së Jugut, i montuar në kamionë ushtarakë Jelcz të prodhuar në vend.

Ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se marrëveshja shënon një hap të madh drejt një vetëbesimi më të madh në sektorin e mbrojtjes. Sipas tij, transferimi i teknologjisë, licencimi i prodhimit dhe kapaciteti vendas i prodhimit do t’u lejonin inxhinierëve polakë të bëheshin bashkëprodhues të sistemeve të përparuara ushtarake.

“Pavarësia e prodhimit tani po bëhet realitet”, tha ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve PAP.

Zyrtarë të lartë polakë të Mbrojtjes dhe një i dërguar special i presidentit të Koresë së Jugut morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Kosiniak-Kamysz shtoi se të dyja palët synojnë ta shndërrojnë objektin e planifikuar në Gorzow Wielkopolski në një qendër evropiane shitjesh për municionet raketore Chunmoo, duke furnizuar vendet e tjera në rajon.

Kjo është marrëveshja e tretë e madhe e mbrojtjes midis Polonisë dhe Koresë së Jugut në vitet e fundit. Sipas kontratave të nënshkruara në vitet 2022 dhe 2024, Varshava bleu rreth 290 module lëshuesish Homar-K së bashku me mijëra raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi të drejtuara me precizitet.

Related posts

Fundoset varka me emigrantë, raportohet për 20 të zhdukur

admin

Protesta të gjera në Bolivi pas arrestimit të dhunshëm të guvernatorit opozitar

admin

Raporte tronditëse për trajtimin “brutal” të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite

Muhamet Ramadani