RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Portugalia dënon “sjelljen e patolerueshme” të ministrit izraelit Ben-Gvir ndaj aktivistëve të flotiljes humanitare

portugalia-denon-“sjelljen-e-patolerueshme”-te-ministrit-izraelit-ben-gvir-ndaj-aktivisteve-te-flotiljes-humanitare

Portugalia dënoi sot “sjelljen e patolerueshme” të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, si dhe trajtimin e aktivistëve të flotiljes së ndihmave që po udhëtonin drejt Gazës këtë javë, duke e quajtur atë një “shkelje poshtëruese të dinjitetit njerëzor”, transmeton Anadolu.

“Portugalia dënon fuqishëm sjelljen e patolerueshme të ministrit izraelit Ben Gvir dhe trajtimin ndaj aktivistëve të flotiljes, në një shkelje poshtëruese të dinjitetit njerëzor”, tha ministri i Jashtëm Paulo Rangel në platformën sociale amerikan X, vetëm disa ditë pasi Izraeli sulmoi konvojin në ujërat ndërkombëtare, sekuestroi anijet dhe ndaloi qindra aktivistë.

Qeveria portugeze tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve portugezë, duke theksuar se garancitë për mbrojtje janë bërë “edhe më urgjente”.

Ajo shtoi se gjatë një takimi me të ngarkuarin me punë të Izraelit në Ministrinë e Jashtme më vonë sot, do të kërkojë zyrtarisht lirimin e shtetasve, do të paraqesë një protestë dhe do të kërkojë sqarime për atë që e quajti shkelje serioze të të drejtave të qytetarëve.

Flotilja humanitare Globale Sumud tha të martën se të 50 anijet e konvojit të saj të ndihmave u sekuestruan nga Izraeli. Së bashku, ato transportonin 428 persona nga 44 vende, pasi ishin nisur nga Marmarisi, Turqi, në përpjekje të re për të thyer bllokadën e paligjshme izraelite të vendosur mbi Gazën që nga viti 2007.

Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj flotiljes.

Në prill, ushtria izraelite sulmoi anijet e flotiljes në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit grek të Kretës. Konvoji në atë kohë përfshinte 345 pjesëmarrës nga 39 vende, përfshirë shtetas turq.

Izraeli ka vendosur një bllokadë shkatërruese mbi Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke e lënë territorin me 2,4 milionë banorë në prag të urisë.

Ushtria izraelite nisi një ofensivë të ashpër dyvjeçare në Gaza në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 72.000 persona, duke plagosur mbi 172.000 dhe duke shkaktuar shkatërrim masiv në gjithë territorin e rrethuar.

Related posts

Vdekje të dyshimta në Pejë, Gjakovë e Shtërpcë – policia nis hetimet

Muhamet Ramadani

Edhe tre gazetarë të vrarë pabesisht nga nazistët e Lindjes së Mesme

RTI

Bëhet hapi i parë që lidh veriun me Mitrovicën me transport publik

RTI